Lajme
PDK kërkon dialog me sindikatat: Kërcënimet ndaj grevistëve të pashembullta
Demokracia
17:52 | 25 Gusht 2022

Share:

Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se kërcënimi i Qeverisë së Kosovës ndaj punonjësve të sektorit publik që iu kanë bashkëngjitur grevës për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, është i pashembullt dhe i papranueshëm. Derisa, PDK i ka bërë thirrje Qeverisë që ta dërgojë urgjentisht në Kuvend ligjin për pagat, ka theksuar se Qeveria duhet të dialogojë me sindikatat në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Koordinatori i departamentit për financa në kabinetin për qeverisje të mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se qeveria po bënë shkelje të të drejtave të punëtorëve për grevë.

“Kërcënimi i Qeverisë së Kosovës ndaj punonjësve të cilët iu kanë bashkëngjitur grevës për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, është i pashembullt dhe i papranueshëm. Ky kërcënim i hapur ndaj punonjësve nuk është parë deri më tani në Kosovë e as në ndonjë vend tjetër demokratik. Me këtë rast, Qeveria po cenon rëndë të drejtat e punëtorëve për grevë dhe ligjin për organizimin sindikal. Andaj, ky shantazh duhet të ndalet menjëherë”, tha Mustafa.

Më tej, ai thotë se Qeveria duhet të dialogojë me sindikatat në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për përmirësimin e kushteve të punonjësve te sektorit publik.

“Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë që urgjentisht ta dërgojë në Kuvend, ligjin për pagat dhe sa më parë të ulet dhe të dialogojë me sindikatat, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për përmirësimin e kushteve të punonjësve të sektorit publik”, tha ai.

Ai ka shtuar se punëtorët kanë nevojë për dialog dhe jo për kërcënime nga qeveria

“Punëtorët kanë nevojë për dialog të vërtetë social e jo për kërcënime të tilla. Kriza e rëndë ekonomike nëpër të cilën po kalon vendi, ku kemi një rritje të çmimeve të ushqimit prej mbi 20%, ndërsa pagat kanë mbet të pandryshuara, nuk lejon hapësirë për shpërfaqje të kësaj arrogance dhe shpërfillje ndaj kërkesave të punonjësve, përkundrazi Qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete dhe të shpejta për përmirësimin e gjendjes së familjeve kosovare”, tha Mustafa.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se në rast se do të ketë greva në sektorin publik, atëherë çdo grevisti do t’i ndalet paga çoftë edhe për një orë grevë.

Në lidhje me këtë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se situata mund të përkeqësohet nëse veprohet në këtë mënyrë.

Të ngjashme