Lajme
PDK-ja publikon planin për rimëkëmbjen e politikës së jashtme: Do t’i japim fund izolimit dhe do të forcojmë lidhjet me SHBA-të dhe Gjermaninë
Demokracia
20:25 | 31 Janar 2021

Share:

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me kandidatin për deputet, Memli Krasniqi kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbjen e politikës së jashtme.

Hoxhaj duke potencuar se politika e jashtme është vija e parë e frontit ku fillon mbrojtja e shtetit prej kërcënimeve nga jashtë, dhe mbrojtjes së të arriturave të vendit ka thënë që sfidë kryesore e Kosovës në këtë aspekt do të jetë anëtarësimi në OKB, në Bashkim Europian, në NATO, dhe përmbyllja e dialogut me Serbinë.

Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis që shkon përtej Pakos së Ahtisaarit, që e shkel Kushtetutën e vendit, ose që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial. Me mua si Kryeministër, Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis që cenon rendin kushtetues dhe karakterin unitar të shtetit. Përderisa Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian është treguar i padrejtë ndaj nesh dhe ka trajtuar qytetarët e Kosovës si qytetarë të rendit të dytë. Kjo qasje duhet të marrë fund”, ka theksuar Hoxhaj.

Tutje, ai ka përmendur Konferencën e Rambouillet, të cilën e kryesonte Hashim Thaçi, ku Kosova fitoi mbështetjen e SHBA-së dhe të Perëndimit për çlirim, si dhe procesin e negociatave në Vjenë falë të cilit u shpall pavarësia e Kosovës në vitin 2008, si rezultat i një politike të jashtme dhe diplomacie të mençur. Gjatë kohës kur Hoxhaj ka shërbyer si Ministër i Jashtëm i Kosovës në Qeverinë Thaçi, janë siguruar 116 njohje për Kosovën dhe anëtarësime në 60 organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj ka shtuar se për dallim prej Rambouillet e Vjenës, në Kosovë kemi politikanë antiamerikanë e autokratë si Albin Kurti, i cili tallet me Shtëpinë e Bardhë, i cili shkon në Tiranë dhe përplaset me kryeministrin shqiptar, ndërkohë që i buzëqesh kryeministres serbe, i cili gjatë pandemisë e mbylli kufirin me Shqipërinë, por ia hapi portat Serbisë që ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në veri të Kosovës. Hoxhaj e ka ftuar përsëri Kurtin për debatuar.

Angazhimi im nuk ka qenë i lehtë, në përballje me diplomatët perëndimorë, kur më kanë thënë se imazhin e Kosovës po e rrënojnë skenat e gazit lotsjellës në Kuvend. Kur më kanë thënë “shko binde liderin e opozitës në Kosovë, Albin Kurtin, që ta njohë flamurin e Kosovës, pavarësinë e Kosovës, e pastaj eja të na bindësh ne.” Unë po luftoja që të njihej Kosova e pavarur me flamurin e saj. Dhe ata ma kujtonin se si lideri i opozitës në Kosovë nuk njihte flamurin e shtetit, institucionet e shtetit dhe dëmtonte imazhin e shtetit. Prandaj, Albin Kurti nuk mund të jetë Kryeministër i Kosovës, sepse qytetarët nuk do të lejojnë që të rrënohet për një ditë ajo që u ndërtua për shumë vjet dhe me shumë sakrificë. Sepse, ata e dinë që Albin Kurti është rrezik për Kosovën dhe ata po e shohin që ai nuk as program elektoral, as prioritete për qytetarët, e as guxim për t’u ballafaquar në debat me mua”, ka thënë ai.

Ndërsa, Memli Krasniqi ka thënë se marrëdhëniet me jashtë të Republikës së Kosovës nuk janë në nivelin e duhur për shkak të prishjes së shumë nga relacionet ekonomike, diplomatike dhe politike të vendit nga qeveritë e koalicionit të mashtrimit të madh të 6 tetorit të 2019-tës, të udhëhequra nga Albin Kurti dhe Avdullah Hoti.

Sipas Krasniqit, PDK është e përkushtuar ta rimëkëmbë politikën e jashtme të vendit, në aspektin e orientimin strategjik në çështje të mbrojtjes, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euro-atlantik, andaj Plani i Rimëkëmbjes së politikës së jashtme bazohet në tri shtylla themelore: Politika e Jashtme dhe Diplomacia, Mbrojtja dhe Siguria Kombëtare, si dhe Promovimi për Zhvillim.

Brenda 100 ditëve të para, ne do ta rikthejmë në arenën ndërkombëtare, historinë e vërtetë të shtetit tonë dhe rrugës së tij drejt pavarësisë, për ta konfrontuar hapur e drejtpërdrejtë përpjekjen e konsolidimit të imazhit humanist të shtetit serb, në kurriz të Kosovës, popullit të saj dhe luftës së drejtë për liri dhe pavarësi. Në kuadër të dialogut ndër-shtetëror me Serbinë, me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, ne do definojmë qartë qëllimet tona shtetërore dhe do t’i koordinojmë të njëjtat me partnerët tanë strategjik. Për ne, dialogu ka vetëm një destinacion: njohjen reciproke në mes dy vendeve. Gjatë këtij viti ne do të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Organizatën Botërore të Tregtisë, në Interpol dhe UNESCO, si dhe në çdo organizatë e mekanizëm ndërkombëtar ku bëjnë pjesë shtetet e lira e demokratike. Për këtë, ne do ndërtojmë një agjendë dhe një plan konkret, të koordinuar me shtetet aleate. Për PDK-në, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do të jetë ambicia kryesore e politikës së jashtme të Kosovës për këtë mandat”, ka thënë Krasniqi.

Hoxhaj dhe Krasniqi, në prezantimin e tyre kanë thënë se Rimëkëmbje synon ti jap fund izolimit të qytetarëve dhe Kosovës, si dhe do t’i forcoj lidhjet politike dhe ekonomike me SHBA-të dhe Gjermaninë. /Demokracia.com/

Të ngjashme