Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar dakordim për themelimin e Komisionit Parlamentar Hetimor për krizën energjetike në Kosovë.
Në seancën plenare ai ka thënë se tash e dy muaj opozita po mundohet të formojë një komision pasi sipas tij, kjo është e drejtë kushtetuese.
“Tash e dy muaj si parti opozitare me kërkesën e grupit parlamentar të PDK-së jemi duke u munduar që ta themelojmë një Komision Parlamentar Hetimor që do ta hetonte gjitha transaksionet, ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe shpenzimet e mbi 125 milionë eurove gjatë këtyre tre muajve. Pra kjo është një e drejtë e jona kushtetuese, një e drejtë e jona e cila na e garanton edhe Ligji për Hetim Parlamentar”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar se sot janë të vendosur ta themelojnë këtë komision, pa të cilin sipas tij, nuk mund të vazhdojnë normalitetin parlamentar. /Demokracia.com/