Lajme
PDK: Qeveria të zbatojë ligjin, 200 milionë euro t’i shpërndahen sektorit privat të prekur nga pandemia
Demokracia
13:43 | 08 Prill 2021

Share:

Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur një konferencë për media, përmes së cilës i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me kërkesën e vetme që të zbatohet ligji për rimëkëmbjen ekonomike, i miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bedri Hamza, nënkryetar i PDK-së tha se situata me pandeminë ka krijuar probleme ekonomike, përveç atyre shëndetësore dhe se jeta e qytetarëve është ajo e cila duhet të vlerësohet dhe se masat e marra së fundi nga Qeveria e Kosovës nuk janë të ekuilibruara, përcjell Demokracia.com.

“Situata e prodhuar me nga pandemia ka krijuar probleme edhe në aspektin shëndetësor edhe pasoja edhe në atë ekonomik. Jo vetëm në Kosovë por gjithandej globit. Ne e dimë dhe e vlerësojmë që jeta e secilit njeri është shumë e vlefshme shëdeti i secilit njeri është shumë i vlefshëm.fatkeqësisht kemi pasë shumë humbje të jetërave të njerëzve, mirëpo çka kemi parë gjatë kësaj periudhe, kemi pa që kemi masa të disekuilibruara mes ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të vendit që është shumë e rëndësishme, por në tjetrën anë nuk kemi parë masat e duhura, totalisht të pamjaftueshme në trajtimin e gjendjes ekonomike në vend”, tha Hamza.

Tutje, Hamza tha se qeveria po vonohet në aplikimin e ligjit për rimëkëmbjen ekonomike dhe se as kjo qeveri edhe pse në kohë të shkurtë nuk po tregon seriozitet për këtë çështje. Ai tha se para 4 muajsh është miratuar në Kuvend ligji për rimëkëmbjen, i iniciuar nga kjo parti, i cili parasheh shumën prej 200 milionë eurove.

“Janë duke u vonuar, nuk është qëllimi ynë këtu që të jemi vetëm kritik pse jemi opozitë, mirëpo edhe në të kaluarën kemi dhënë alternativat tona. Edhe qeveria e kaluar ka qenë jo në nivelin e detyrës dhe përgjegjësive, por sipas gjitha gjasave edhe qeveria aktuale edhe pse është një kohë e shkurtë, nuk është duke dhënë sinjale që ka seriozitet edhe e ka të qartë se si të veprojë në këtë situatë. Ne e dimë që ligji për rimëkëmbjen ekonomike është aprovuar në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar dhe janë bërë 4 muaj, aty ka qenë instistim i joni dhe amendamentet tona, që 200  milionë euro janë të ndara për përkrahjen e sektorit privat në formë të granteve apo kontributeve financiare pa kthim”, tha Hamza.

Ai kërkoi nga qeveria që ta zbatojë ligjin që të prekurit nga pandemia të kompensohen përmes parave të parapara me këtë ligj.

“30 milionë janë të ndara në atë ligj, që janë të dedikuara, për të punësuarit që kanë humbur vendet e tyre të punës, si rezultat i pandemisë. Qeveria duhet ta zbatojë ligjin, i cili është aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ata që kanë humbur vendet e punës nuk e kanë fituar këtë përkrahje. Prandaj kërkesa jonë konsiston në atë që të zbatohet ligji, që këto 200 milionë të aprovuara me ligj të fillojnë t’iu shpërndahen bizneseve. Sektori i gastronomisë është prej sektorëve më të goditur, mirëpo nuk është sektori i vetëm. Prandaj duhet të ketë masa të qarta, të sakta dhe të zbatohet ligji”, shtoi Hamza.

“Jemi vonë dhe ligji që është miratuar në Kuvend, duhet të zbatohet sa më parë. Pse ne nuk kemi kontratë për furnizim me vaksina, meqenëse paratë janë aty. Është e vetmja mënyrë që të imunizojmë popullin dhe të hapim ekonominë. E dimë që nuk është lehtë, mirëpo nëse vendet e rajonit kanë ardhur deri te 3-4 furnizues, pse ne nuk kemi akoma një kontratë.”, ka përfunduar Hamza.

Masat e reja të qeverisë kanë filluar të aplikohen nga 8 prilli, të cilat kufizojnë lëvizjen nga ora 22:00 – 05:00, ndërsa sektori i gastronomisë është mbyllur dhe funksionon vetëm shërbimi “merr me vete”./Demokracia.com/

Të ngjashme