Lajme
PDK e LDK i përgjigjen VV-së: Janë në panik, po mundohen t’i fshehin dështimet
Demokracia
23:09 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Dy partitë kryesore opozitare, PDK e LDK, kanë reaguar ndaj akuzave të partisë në pushtet.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së kanë vlerësuar se sulmet e VV-së ndaj opozitës tregojnë se pushteti është në panik. Sipas tyre, kontestimi i vendimeve kushtetuese nga VV-ja është i rrezikshëm për demokracinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se VV-ja frikësohet nga Kushtetuesja, përcjell Demokracia.com.

“Vetëvendosja, pasi ka dështuar në qeverisje në këto tri vjet, paska filluar të mbajë ligjërata koti se si bëhet opozita. Atyre që kanë bërë opozitë me tym e flakë, me gurë e gaz, nuk po ju pëlqeka opozita jonë me rrugë institucionale, opozita jonë duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e tyre të mbrapshta. Ata frikësohen nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria prandaj janë në panik.”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka vlerësuar se kontestimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga partia në pushtet është i rrezikshëm për demokracinë e vendit.

“Qasjen e partisë në pushtet ndaj shtetit si projekt i përkohshëm e dëshmojnë edhe veprimet për ta zbatuar këtë ide. Kontestimi i vendimeve kushtetuese më qëllim të propagandimit kundër Lidhjes Demokratike, i rrezikshëm për frymën e krijuar të LVV-së kundër institucioneve të vendit. Është tejet e rrezikshme për demokracinë dhe konstruksionin tonë shtetëror, sfidimi që pushteti ia bën kushtetutshmërisë së vendit”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, propaganda e VV-së nuk do të mund t`i mbulojë dështimet e Qeverisë Kurti.

“Ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, në vend që ta këndellin pushtetin për humnerën ku po e dërgon vendin, po përdoren nga ky i fundit si arsenal për artilerinë e propagandës. Propaganda klishe e përbërë nga narrativa populliste e stërpërdorur, nuk mbulon kurrsesi dështimin kolosal në secilin sektor të pushtetit, i cili në fundosje e sipër, do t’i marrë të gjithë me vete në rrënim”, ka shkruar ajo.

Sulmet e VV-së ndaj opozitës kanë nxitur edhe reagimin e shoqërisë civile.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, është tallur me postimin e VV-së kundër opozitës.

“LVV akuzon opoziten pse po i dergon ligjet ne Kushtetuese. Kjo i bjen njejte si: Hajni akuzon policin qe e arrestoj ne flagrance gjate grabitjes se bankes. Po Komisioni i Venecias pse po ua rrëzon çdo iniciative ligjore qe po e dergoni? Me siguri edhe Komisioni i Venecias eshte i kapur nga opozita dhe grupet e interesit”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi në Facebook është marrë përsëri me dërgimin e ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se nuk po kanë alternativë dhe po i mbrojnë të “fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit”.

“Në mungesë të kritikës së mirëfilltë dhe alternativave ndaj propozimeve e vendimeve tona, me qëllim bllokimin e reformave tona transformuese e progresiste vazhdojnë të dërgojnë ligje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk ka të bëjë me opozitbërje, kjo është përpjekje e Klubit të Stërvjetëruar Politik që të ruaj grupet e interesit në mënyrë që të ruhet pasuria e tyre.”, është thënë ndër të tjera në postimin e VV-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme