Lajme
PDK do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran
Demokracia
14:31 | 16 Dhjetor 2023

Share:

Kuvendi i Kosovës të premten e 15 dhjetorit në lexim të dytë ka miratuar Ligjin për Fondin Sovran, megjithatë Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se i njëjti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, meqë Ligji për Fondin Sovran si i tillë në thelb cenon parimet themelore të organizimit ekonomik të Kosovës.

Me këtë ligj, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, mëtohet të krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe mbi të gjitha cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit.

“Sepse në organizimin dhe funksionimin e tij, nuk do të zbatoj as ligjin bazik për ndërmarrjet publike, as ligjin e punës, as të prokurimit publik por do të qeveriset sipas tekeve të kuazi ekspertëve të shitur”.

Ky ligj, vlerëson Tahiri, qindra miliona euro i koncentron në duart e një grupi të pushtetit, ndërsa mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë, duke i zëvendësuar me militantë partiak e me familjarë të pushtetarëve.

“Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste”.

Ndryshe pas miratimit të projektligjit të Fondit Sovran në Kuvendin e Kosovës kryeministri, Albin Kurti, tha se me këtë vendim Kosova do të ketë përparësi në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.

“Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit”, shkroi Kurti në platformën e tij sociale në Facebook.

Të ngjashme