Lajme
PDK dhe LDK nuk e pranojnë Statutin e Zajednicës të dalë nga Dialogu trevjeçar i Kurtit: Do ta rishkruajmë një draft me amerikanët
Demokracia
11:49 | 23 Maj 2024

Share:

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë qartësuar qëndrimin e tyre për draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Liderët e këtyre dy partive politike opozitare kanë bërë me dije se as ata nëse vijnë në pushtet nuk do ta dërgojnë draftin aktual të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, ashtu siç po kërkon SHBA-ja dhe BE-ja.

Mameli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kanë treguar se ata do të rishkruajnë një draft të ri në koordinim me aleatët, raporton Nacionale.

I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se një gjë të tillë do ta bënte në bashkëpunim me amerikanët.

“Kurgjo pa amerikanë nuk ndodh, unë të nesërme e kisha fillu këtë proces me mirësjellje me kërkesë për ndihmë ekspertëve të SHBA-së…s’është e vonshme, nuk është bre shkencë ajo këta veç s’kanë deshtë, s’kanë ditë ose s’kanë guxu për një javë kryhet ajo punë”, ka thënë Krasniqi në një intervistë të mëhershme në RTV21.

Sipas tij, drafti aktual është autonomi politike për serbët e Kosovës.

“Mendoj se është një draft i keq, i cili rrezikon apsolutisht jo në ditën e themelimit të asociacionit, por 6 muaj ose 5 vjet pas me pasë një entitet i cili përveç e një autonomie politike e rrezikon edhe funksionimin shtetit të Kosovës dhe është fatkeqësi pse ka ardhur deri këtu , sepse ky është një tekst i cili e ka prodhuar Albin Kurti me mosveprimin e tij”, është shprehur Krasniqi.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixiku.

Ai e ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti që e ka sjell Kosovën në situatën aktuale.

“Çka bëri? E hapi pakon dialoguese me Serbinë, ka përfundu me një marrëveshje të Ohrit që ka brenda kapërcim të së kaluararës, autonomi, e ka heq njohjen dhe Kisha Serbe që nuk ka ardhë ende. Ne kemi pasë reagim refuzues për Marrëveshjen e Ohrit. Pas saj, kemi dalë, i kemi thënë të lutem bëje Asociacionin sipas Kushtetutës të Kosovës sepse kishim kërkesa dhe garanca nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arsyetimi i tij në Kuvendin e Kosovës, ka qenë kështu: nuk mund ta bëj draftin se më pas ndërmjetësi na e sjell një draft që është më i keq”, ka thënë Abdixhiku në emisionin “Pressing”.

Nëse vije në pushtet, ai ka thënë në start do ta fillojë një dialog me SHBA-të për këtë çështje.

“Çka do të bëj unë si kryeministër? Besoj se na duhet një dialog me ShBA-të, në start. Ne jemi zotues për Asociacionin. Ne do ta bëjmë një Asociacionin që nuk është autonomi e Kurtit. Duhet ta shmangim atë, se është rrezik, nuk na duhet as njohja kështu, këta e pranuan që është Republikë Serbe po kështu nuk na duhet as njohja”, ka deklaruar ai.

Qëndrimi i Qeverisë
Një ditë para se të mbahej mbledhja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë nuk ishte futur fare, Kosova kishte bërë një propozim të ri.

Përmes një letre drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ishte zotuar se Kosova deri në fund të muajit maj do ta harton një draft të ri të Asociacionit dhe do ta dërgon atë në Kushtetuese për shqyrtim.

“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, ishte thënë në letrën e ministres Gërvalla.

Por, pas përfundimit të kësaj mbledhje, ajo kishte bërë me dije se oferta e Kosovës më nuk vlen.

“Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, kishte shkruar Gërvalla në profilin e saj në “Facebook”.

Para së drafti aktual i Asociacionit të iu pretohet palave, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte provuar ta bindte Qeverinë e Kosovës që në koordinim me SHBA-të ta shkruante një draft të tillë. Por, kryeministri Albin Kurti kishte refuzuar një gjë të tillë.

Të ngjashme
Lajme • 16 Qershor 2024