Lajme
PDK denoncon kryetarin e Gjilanit: Shkoi vetë dy herë në Gjermani për të blerë një kamion, pa asnjë procedurë tenderimi
Demokracia
15:08 | 25 Korrik 2023

Share:

Partia Demokratike e Kosovës- Dega në Gjilan, ka akuzuar kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni për keqmenaxhim.

Sipas PDK-së, Hyseni ka blerë kamionin prej 47,919.52 euro pa asnjë procedurë tenderimi. Madje sipas PDK-së, Hyseni bashkë me dy drejtorë komunal, Hyseni ka shkuar në Gjermani për ta blerë kamionin.

Kjo sipas kësaj partie, përbën shkelje të rëndë të ligjit të prokurimit. PDK i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë menjëherë.

“Qeverisja e LVV-së në Gjilan ka humbur plotësisht kontrollën, ku ligjet e Republikës së Kosovës nuk respektohen, sistemi i shpenzimit të buxhetit komunal ka rënë nga funksioni dhe nuk dihet më se ku e si po shpenzohet paraja publike e qytetarëve, pra, është krijuar anarki totale institucionale. Dy vizitat e kryetarit të komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni bashkë me dy drejtorë komunal në Gjermani, janë realizuar për të blerë një kamion për Ndërmarrjen Publike Lokale “TREGU” në vlerë prej 47,919.52 euro. Ky veprim skandaloz i tyre, është i dokumentuar prej fillimit e deri në përfundim. Ndërsa vetëm për një faturë për Gjermani janë paguar 3,151.52 euro, për udhëtim e dreka zyrtare nga buxheti i NPL Tregu. Ndërsa ka edhe mijëra euro tjera shpenzime që janë paguar nga buxheti i komunës.”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës- Dega në Gjilan, i është drejtuar zyrtarisht menaxhmentit të NPL “Tregu” për tu informuar se a janë zhvilluar procedurat e prokurimit, dhe kemi pranuar konfirmimin se kompania e tyre nuk ka zhvilluar asnjë procedurë, përveç që janë ekzekutuar pagesat e faturave që i kanë shkuar nga zyra e kryetarit të komunës.

“Po ashtu edhe nga Zyra e Prokurimit në Gjilan, është konfirmuar se nuk ka pasur tender të shpallur për blerjen e këtij kamioni. Pra, procedurat e vetme që janë zhvilluar i ka bërë personalisht kryetari Hyseni dhe sekserët e tij Gjermani. Fillimisht ky kamion është doganuar në emër të Kuvendit Komunal Gjilan, pastaj është kthyer në emër të NPL Tregu, pas konstatimeve për shkelje ligjore e kaos të procedurave.”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas, PDK-së, VV në Gjilan, përveç degradimit të institucioneve komunale edhe Ndërmarrjet Publike Lokale i ka shndërruar në çerdhe të keqpërdorimeve.

“Andaj këto veprime janë të dëmshme, të rrezikshme dhe që duhet të merren masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse që e kanë për obligim mbikqyrjen, respektimin e ligjit dhe ndalimin e keqpërdorimeve të mëdha që po ndodhin kudo nga kjo klasë qeverisëse.”, thuhet tutje në komunikatë.

PDK-ja në Gjilan ka kërkuar shkarkimin e Komisioneve Komunale të Aksionarëve nga Kuvendi Komunal.

“Gjithashtu, po edhe në këtë deklaratë publike vlen të ritheksohet që është urgjente shkarkimi i Komisioneve Komunale të Aksionarëve nga Kuvendi Komunal, në të gjitha ndërmarrjet publike lokale, për ti ndalur keqpërdorimet e jashtëzakonshme që po ndodhin aktualisht aty. Sërish ne si parti shtetformuese e institucionaliste, ju bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve komunal dhe atyre në ndërmarrjet publike lokale, që të jenë të kujdesshëm dhe mos të veprojnë sipas urdhrave të individëve, por të zbatojnë të gjitha procedurat ligjore. Mos lejoni që përmes kërcënimeve, kushtëzimeve e joshjeve që ata u bëjnë të bini pre, sepse para ligjit të gjithë jemi të barabartë.”, thuhet në komunikatën e PDK-së në Gjilan.

PDK ka publikuar edhe dokumentet:

Të ngjashme