Partia Demokratike ka publikuar në faqen e saj zyrtare spotin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
Të shtunën në orën 10:00, Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar. në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’.
Në spotin e publikuar thuhet se ky hap i radhës i shërben reformimit të kësaj force politike përballë sfidave dhe pritshmërive të qytetarëve.
Gjithashtu, PD thekson se ka pranuar gabimet e së shkuarës, por synimi është e ardhmja dhe krijimi i një alternative të duhur për shqiptarët.
“Të shtunën, 2 shtator, ora 10:00 Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit, ne zgjedhim reformimin dhe modernizimin e forcës sonë politike, për t’ju përgjigjur sfidave të kohës dhe pritshmërive të qytetarëve për një ndryshim të vërtetë, për një politikë të pastër, propozuese, që lufton korrupsionin, ofron alternativën e duhur ekonomike dhe fuqizon përfaqësimin e qytetarëve. Guximi ynë për të ndryshuar, duke pranuar gabimet e të shkuarës dhe duke mësuar prej tyre, është provë e vullnetit tonë për të kthyer Partinë Demokratike në alternativën që shqiptarët meritojnë”, thuhet në njoftimin e PD.