Lajme
Pavarësisht kërcënimeve që ua bëri mësimdhënësve, Nagavci e pranon se mësimi po mbahet vetëm në disa shkolla e klasa
Demokracia
13:23 | 08 Shtator 2022

Share:

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, e ka pranuar se jo të gjitha shkollat e kanë ndërprerë grevën.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Nagavci ka publikuar disa fotografi nga vizita që i ka bërë gjatë ditës së djeshme në disa shkolla, ku ka theksuar se jo të gjitha shkollat janë duke mbajtur mësim.

Rrjedhimisht kjo i bie që jo të gjithë mësimdhënësit po iu binden kërcënimeve të MASHTI-it dhe kryeministrit Albin Kurti që të ndërpresin grevën.

Madje vetëm gjatë ditës së djeshme, ministrja Nagavci i kërcënoi përsëri mësimdhënësit duke iu thënë se nëse e vazhdojnë grevën, atëherë SBASHK-u do t’ua japë pagat.

“Mësimi po mbahet në disa klasa e shkolla të ndryshme si Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, Deçan, Gjilan, Kamenicë, Gjakovë, Ferizaj, Shtime etj. Ndonëse shumica e mësimdhënësve janë në grevë, kemi edhe mësimdhënës të cilët janë bashkë me nxënësit duke mbajtur mësimin. Ashtu siç kemi edhe prindër të cilët po i dërgojnë fëmijët në shkollë ndonëse mësimdhënësit nuk po mbajnë mësim. Si ministre e Arsimit edhe njëherë ftoj të gjithë mësimdhënësit që të kthehen në shkolla pranë nxënësve të tyre e të fillojnë mësimin”, ka shkruar Nagavci.

Postimi i plotë i Nagavcit, pa ndërhyrje:

Vizituam dje disa nga shkollat në të cilat ka filluar të mbahet procesi mësimor.

Me kryeministrin ishim në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë ku procesi mësimor është duke u zhvilluar normalisht.

Po ashtu, kam vizituar shkollën “Faik Konica” në kryeqytet ku disa mësimdhënës janë duke mbajtur mësimin.

Zëvendësministri, Dukagjin Pupovci ka vizituar  Qendrën burimore “Përparimi” në të cilën gjithashtu ka nisur procesi mësimor.

Mësimi po mbahet në disa klasa e shkolla të ndryshme si Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, Deçan, Gjilan, Kamenicë, Gjakovë, Ferizaj, Shtime etj.

Ndonëse shumica e mësimdhënësve janë në grevë, kemi edhe mësimdhënës të cilët janë bashkë me nxënësit duke mbajtur mësimin.

Ashtu siç kemi edhe prindër të cilët po i dërgojnë fëmijët në shkollë ndonëse mësimdhënësit nuk po mbajnë mësim.

Si ministre e Arsimit edhe njëherë ftoj të gjithë mësimdhënësit që të kthehen në shkolla pranë nxënësve të tyre e të fillojnë mësimin.

Që nga fillimi i mandatit jemi duke u angazhuar shumë që të përmirësojmë kushtet e punës në shkolla.

Të ngjashme