Donald Trump po gëzon përkrahjen më të madhe në kampin republikan sa i përket garës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Kjo sipas një sondazhi të fundit të publikuar nga “FiveThirtyEight”, ku Trump aktualisht po prinë me 49.3 përqind të votave kombëtare, ndërsa guvernatori i Floridas Ron DeSantis (i cili ende nuk ka hyrë zyrtarisht në garë) po merr 26.2 përqind.
Ish zëvendëspresidenti Mike Pence, një tjetër kandidat i mundshëm, është 5.8 për qind, ndërsa kandidatja e deklaruar dhe ish-ambasadorja e OKB-së Nikki Haley është me vetëm 4.3 përqind.
Shumë kanë deklaruar se sondazhet aktualisht janë të hershme, por në artikullin e “FiveThirtyEight” thuhet se edhe në sondazhet e mëhershme, që nga viti 1972 deri në 2016, kandidatët që kanë mbi 30përqind në shkallë kombëtare, kanë shansë më të mirë për t’u bërë kandidatë.
Ky shans sipas artikullit rritet sa më i lartë të jetë numri i tyre i votimit. Megjithatë, nga ana tjetër, kandidatët me votime nën 20 përqind nuk kanë gjasa të fitojnë.
Sipas këtij artikulli, ish-presidenti Donald Trump mbetet favorit, derisa DeSantis ka ende gjasa të mira për t’u bërë kandidat.
Ajo që është interesante lidhet me faktin se pavarësisht akuzave të bëra publike mbi ish-presidentin Trump, sipas sondazheve epërsia e tij ndaj DeSantis është rritur nga 19 pikë sa ishte më 29 mars në 23 pikë sot.