Lajme
Pavarësia e Kosovës, Begaj: Shqipëria, e vendosur për të mbështetur Kosovën
Demokracia
08:56 | 17 Shkurt 2024

Share:

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në një fjalim për 16-vjetorin e shpalljes së Kosovës Republikë ka zgjedhur të përçojë disa mesazhe.

Sipas tij, 17 shkurti shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Për të, pavarësia hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar dhe shqiptarët do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve Euro-Atlantikë që ndihmuan dhe mbështetën në realizimin e aspiratave shekullore.

“Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shënoi kthesën vendimtare për popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës. Faleminderit atyre që iu ndodhën pranë kombit shqiptar dhe zgjodhën veprimin, jo indiferencën ndaj Kosovës”.

Begaj theksoi se, kjo ditë është rast shumë i mirë për të nderuar e vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e Kosovës, që nga Presidenti largpamës dhe i paqtë i saj, Ibrahim Rugova, deri te heronjtë e UÇK-së, e veçanërisht familja e Jasharëve, e cila është shndërruar në simbolin e luftës për çlirim.

Kreu i Shtetit tha se sot, Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

“Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike të mirëqeverisjes”.

Kështu, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve janë natyrshëm strategjike, me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën tonë të përbashkët Euro-Atlantike e të të gjithë rajonit.

Presidenti thotë se në kontekstin e një situate sigurie të përkeqësuar në botë, prioritet duhet të marrë bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

“Sulmi terrorist kundër policisë së Kosovës në Banjskë, i pak muajve më parë, tregon se sa e brishtë është paqja dhe siguria në rajon”.

Ashtu siç ka theksuar herë të tjera: bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët strategjikë, SHBA-të dhe BE-në është thelbësor.

“Po me kaq rëndësi është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. I ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, vazhdimi i dialogut është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”.

Begaj me bindje të plotë tha se duhet t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën.

“Ne do të vijojmë të punojmë për njohje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe bashkërisht të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të begatë”.

Të ngjashme