Policët nga Kina, bashkëpunimi i të cilëve me Ministrinë e Punëve të Brendshme nga Serbia ishte paralajmëruar më herët, filluan të patrullojnë rrugët e Novi Sadit.
Siç ishte njoftuar më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nëntë policë të Ministrisë së Sigurisë Publike të Republikës Popullore të Kinës do të patrullojnë me 20 kolegë nga Serbia në Beograd, Novi Sad dhe Smederevë, qytete më të vizituara nga turistët kinezë.
Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Sigurisë Publike të Kinës në fushën e patrullave të përbashkëta policore bazohet në një memorandum të lidhur në vitin 2019.
Kina ka investuar miliarda dollarë në Serbi, kryesisht përmes kredive të buta, investimeve në projekte infrastrukturore dhe energjetike.
Gjermania para një viti ka ngritur shqetësim se ka parë raportimet se Serbia ka pranuar raketa kundërajrore ruse, duke paralajmëruar se ky shtet i Ballkanit duhet të përafrojë politikën e tij të jashtme me të Bashkimit Evropian, nëse dëshiron të bëhet anëtar i bllokut.
Serbia vazhdimisht ka balancuar aspiratat e saj evropiane dhe partneritetin me NATO-n, teksa ka lidhje shekullore fetare, etnike dhe politike me Rusinë.
Perëndimi ka shprehur frikën se blerjet e armëve nga Kina dhe Rusia mund të kontribuojnë në rritjen e ndikimit të këtyre shteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.