Sport
‘Patatja’ e parë e Euro 2024 është Holandë-Francë, Polonia eliminohet matematikisht nga grupi
Demokracia
11:40 | 22 Qershor 2024

Share:

Takimi mes Holandës dhe Francës ka dalë nga parashikimet e ndeshjes, por jo për mirë, pasi ajo që mund të ishte ndër sfidat më interesante të fazës së grupeve në Euro 2024, rezultoi në fakt të ishte barazimi i parë pa gola i gjithë turneut deri tani.

Një ndeshje tërësisht pa dinamika, e mërzitshme në trakte dhe me shkëndija shumë sporadike, të cilat nuk i dhanë ngjyrë lojës.

Me nisjes e sfidës, dukej se Franca do të sulmonte, kur Antoine Griezmann, sot në rolin e kapitenit për shkak të mungesës së Kylian Mbappe, humbi një rast të pastër përpara portës.

Megjithatë, pas një vrulli fillestar, pushtoi letargjia…

Dukej thuajse sikur ekipet e kishin përthithur mes vetes barazimin e leverdisshëm dhe kishin vendosur të mos luanin në 100% të tyre.

Me nisjes e pjesës së dytë ishte sërish Franca që u përpoq të bënte diçka, por pa mundur dhe me një tjetër rast flagrant të humbur nga Griezmann.

Holanda në fakt arriti ta gjente rrugën e rrjetës me Xavi Simons, por goli i parë i talentit të Leipzig në Euro u anulua për një pozicion jashtë loje të Dumfries, i cili kishte zënë rrezen e portierit Maignan.

Ky barazim ndërkaq është lajmi më i keq i mundshëm për Poloninë, e cila pas humbjes me Austrinë në ndeshjen e orës 18:00, bëhet edhe ekipi i parë, i cili zyrtarisht eliminohet matematikisht nga faza e grupeve.

Të ngjashme