Lajme
“Pastrim për 20 minuta”, ATK i shpenzon 14 mijë euro për larje të veturave
Demokracia
14:13 | 18 Korrik 2022

Share:

Administrata Tatimore ka vendosur që t’i shpenzojë 14 mijë euro për larje të veturave që i ka nëpër Kosovë. Tenderi për këtë punë është ndarë në 6 pjesë, derisa kërkohet që larja e një veture të mos zgjasë më shumë së 20 minuta.

Veturat e Administratës Tatimore të Kosovës tash e tutje nuk do të dalin në rrugë do si do.  Ato do të shkëlqejnë nga pastërtia dhe mirëmbajtja.

Për pastrimin e tyre është dhënë edhe një tender, shkruan Demokracia.com.

Sipas njoftimit të bërë në KRPP për këtë tender do të shpenzohen 14 mijë euro.

“Shërbimet e pastrimit të veturave zyrtare në zyrat Qendrore dhe zyrat Regjionale sipas kërkesave të AK-së (tenderi është i ndarë në 6 pjesë). Vlera e parashikuar e kontratës: 14 000,00”.

Pastrimi i një veturë sipas këtij tenderi do të bëhet prej 2.80 centë deri në 3.80 centë, shkruan Demokracia.com.

Objekti i kontratës është i ndarë në gjashtë pjesë (lote), duke filluar nga 1.500 deri në 7 mijë euro.

“Pjesa 1: 7,400.00 €; Pjesa 2: 1,500.00 €; Pjesa 3: 1,500.00 €; Pjesa 4: 1,500.00 €; Pjesa 5: 1,500.00 €; Pjesa 6: 600.00 €; Pjesa 7: 750.00 €;  Vlera totale e parashikuar e 6 pjesëve është: 14,000.00 €.”.

Tenderi për larjen e veturave po ashtu është ndarë edhe nëpër disa qytete të Kosovës, në të cilat gjenden veturat e ATK.

“Vendi i kryerjes së shërbimeve është: Shërbimet e pastrimit të veturave zyrtare do të kryhen në vendndodhjen e autolarjeve në: Prishtinë, Mitrovicë,  Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë. Vendndodhja e autolarjeve ku parashihet të bëhet pastrimi i veturave zyrtare kërkohet të mos jetë më larg se 7.5 km në një drejtim, ku pika e fillimit të matjes do të jetë nga vendndodhja e Objektit të AK-së”.

Por, pastrimi i veturave të këtij institucioni është kërkuar që të behet me kohë të caktuar. Madje, është thënë se një veturë duhet të pastrohet për 20 minuta, në raste urgjente edhe 10 minuta.

“Koha e ofrimit të shërbimeve të pastrimit të veturave zyrtare nga operatori ekonomik kërkohet të jetë jo më shumë se 20 minuta pas pranimit të kërkesës nga zyrtari pranë AK-së. Në raste urgjente shërbimet e pastrimit të veturave zyrtare duhet të ofrohen jo më shumë se 10 minuta pas pranimit të kërkesës nga zyrtari pranë AK”./Demokracia.com/.

Të ngjashme