Lajme
Pasojat e mos-koordinimit| Policisë së Kosovës tani i duhet koordinim me KFOR-in për të shkuar në veri
Demokracia
10:47 | 08 Shtator 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti në muajin qershor tallej me kërkesën e opozitës për koordinim më bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve në veri. Gjatë një seance parlamentare, ai me ironi i pyeste liderët e opozitës nëse arrestimi i kriminelëve në veri duhet të bëhej “me koordinim a pa koordinim”. Në fakt, ky mos-koordinim duket se i ka kushtuar Kosovës.

Policisë së Kosovës për të vepruar në veri tani vërtetë i duhet koordinimi me KFOR-in.

Këtë e ka bërë të ditur dje edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negocim me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri”, ka thënë Stoltember pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka bërë me dije se çdo zbarkim i forcave policore atje kërkon miratimin e KFOR-it.

“Nuk është kriter i ri. Ky qëndrim është bazë e misionit për një kohë të gjatë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratim të KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it për çfarëdo angazhimi që mund të ndikojë në pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë”, është shprehur shefi i NATO-së, përcjell Nacionale.

Fajësohet Qeveria

Deklarata e sekretarit të NATO-së ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Opozita ka bërë me dije se kjo është pasojë e moskoordinimit të Qeverisë me aleatët perëndimor. Sipas tyre, ky është një kthim mbrapa.

Deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se ky është nja lajm i keq për Kosovën.

“Sot u pa qartë edhe një herë se me dyshen Osmani-Kurti, procesi i dialogut është zvogëluar rreth gabimeve strategjike të Kosovës dhe jo interesave të saj, kur nga selia e NATO-s u tha se Kosova tani duhet të kërkojë leje nga KFOR-i për të vendosur forcat policore në veri. Lajm i keq!”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në “Facebook”.

Shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, është munduar ta qartëson deklaratën e sekretarit të NATO-së. Ai ka thënë se behet fjalë vetëm për koordinim.

“Ata kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë në arritjen e asaj dakortësie nga institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës, presidentja e ka diskutuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe është qartësuar kjo situatë, që, në fakt, nuk kërkohet miratim paraprak i KFOR-it ose i NATO-s për zbarkim të Policisë në veri, por se është një kërkesë e KFOR-it për koordinim në kuadër të kompetencave që ka të bëjë me reaguesit e parë, të dytë dhe të tretë që parandalojnë ndonjë eskalim të situatës në veri”, ka deklaruar këshilltari i presidentes Osmani në RTK.

Ndërsa, analisti Nexhmedin Spahiu ka kritikuar deklaratën e shefit të NATO-së.

Ai ka bërë me dije se Kosova nuk duhet ta respektojë një gjë të tillë.

“Deklarata e Stoltemberg duket më tepër si luftë nxitëse se sa ftesë për paqe. Me befasoj në fakt, sepse kërkesa për punën e policisë, por kjo është një çështje për të cilën Kosova do të duhej të lëshojë pe. Nëse Kosova lëshon pe për punën e policisë, atëherë duhet të heq dorë nga sovraniteti”, ka thënë Spahiu.

Në 19 prill të vitit 2013, ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi ishte pajtuar me ish-sekretarin e NATO-s, Andres Fogh Rasmussen, që FSK-ja të mos dërgohet në veri pa lejen e KFOR-it. Një veprim i tillë ishte kritikua ashpër nga kryeministri aktual Albin Kurti. Madje, ky i fundit kishte paralajmëruar që këtë marrëveshje ta dërgon edhe në gjykatë.

Të ngjashme