Lajme
“Pasoja të mëdha” për Kosovën nëse masat ndëshkuese mbesin “në afatgjatë”, paralajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar
Demokracia
20:32 | 22 Nëntor 2023

Share:

Sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike me të cilën po përballej vendi vitet e fundit si pasojë e Pandemisë Covid-19 dhe më pas luftës së Rusisë në Ukrainë, qeveria e Kurtit i shtoi edhe një tjetër ‘barrierë’ ekonomisë së vendit pas shpërfilljes së deklaratës së 3 qershorit, e cila kërkonte nga autoritetet kosovare të ndërmarrin një sërë veprimesh për të parandaluar deeskalimin e mëtejshëm në veri të vendit.

Krejt kjo çoi në një situatë të paprecedentë; ndëshkimin e Kosovës nga Bashkimi Evropian përmes disa masave me pasoja ekonomike. Kur kanë kaluar rreth gjashtë muaj nga vendimi, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar për “një ndikim të madh në afatgjatë nëse ato [masat] qëndrojnë”.

Derisa zyrtarët qeveritarë po shpenzojnë energji për t’i quajtur masat e BE-së kundër Kosovës “të padrejta”, Kreditori Ndërkombëtar ka nënvizuar në një raport të fundit për Kosovën se pasiguria ekonomike e vendit vazhdon pas masave ndëshkuese të BE-së “për të promovuar de-përshkallëzimin më të shpejtë, duke përfshirë shtyrjen e mbështetjes së re financiare.”

Edhe pse masat nuk pritet të kenë ndonjë efekt substancial në muajt e ardhshëm, sepse, sipas raportit, nuk zbatohen për projekte apo iniciativa tashmë në zhvillim, ato mund të kenë një “ndikim të madh” në afat të gjatë nëse nuk largohen.

“Masat pritet të kenë një ndikim të kufizuar në 12-18 muajt e ardhshëm, pasi ato nuk zbatohen për projektet ose iniciativat tashmë në zhvillim, por ato mund të kenë një ndikim të rëndësishëm afatgjatë nëse qëndrojnë.” – thuhet në raport.

Polarizimi politik

Në raport përmendet edhe “polarizimi politik” për shkak të ngjarjeve në veri si një problem potencial i cili mund të ndikojë në thellimin e mosmarrëveshjeve mes pushtetit dhe opozitës, duke e bërë më të vështirë votimin e marrëveshjeve që kërkojnë 2/3 e votave.

“Polarizimi politik, pjesërisht për shkak të ngjarjeve në veri, mund të komplikojë punën e Asamblesë Kombëtare. Qeveria ruan mbështetje të konsiderueshme popullore dhe mund të sigurojë një kuorum në Kuvend, i cili zgjodhi një guvernator të ri të bankës qendrore (BQK) në mes të korrikut dhe miratoi disa ligje, duke përfshirë rritjen e pagave minimale. Megjithatë, rritja e dallimeve politike mund ta bëjë më të vështirë sigurimin e 2/3 votave të nevojshme për të autorizuar kontraktimin e borxhit të ri të jashtëm.” – thuhet aty.

“Qytetarët po i vuajnë”

Vetë kryeministri Kurti rreth dy muaj më parë deklaroi se msat kanë pasur efekte të dëmshme te qytetarët, në sektorin e biznesit dhe institucionet shtetërore në territorin e Kosovës.

“Është e vërtetë që qytetarët po i vuajnë këto masa, komuniteti i biznesit por edhe agjencitë shtetërore në aspektin e marrëveshjes së stabilizim asocicimit, e cila nuk po ecë tutje. Të gjitha grantet janë pezulluar, dhe heqja e këtyre masave është gjëja e duhur që duhet ta bëjë BE-ja.” – ka deklaruar Kurti.

Të ngjashme