Lajme
Pasi tentoi ta mbyll një televizion, Kurti e nxjerr deputetin partisë të thur lavde për gazetarët në Kuvend
Demokracia
11:01 | 22 Qershor 2023

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, e ka nisur fjalën e tij në seancën e Kuvendit duke përgëzuar dhe falënderuar mediat për punën e tyre, në veçanti raportimin nga veriu. 

Ramadani i ka përgëzuar gazetarët dhe kameramanët për raportimet nga veriu, duke thënë se fal punës së tyre u bë i mundur arrestimi i bandave kriminale në veri.

Ai duke përmendur punën e tyre heroike bashkë me Policinë e Kosovës, tha se Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medias së lirë

“Puna e tyre heroike dhe e policëve na garanton për triumfin e demokracisë së Kosovës. Kosova po bëhet shembull i lirisë së shprehjes dhe medias së lirë”, tha ai, teksa shtoi se sulmuesit e gazetarëve në veri janë mbrapa grilave.

“Kjo është e pamundur pa punën shembullore të gazetarëve. E kam dënuar dhe e dënoj sulmet ndaj mediave”, shtoi ai.

Ndryshe, me 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, përmes një komunikatë për medie, njoftoi se i është pezulluar licenca “Klan Kosovës”. E gjitha ka nisur pas një kallëzimi penal që MINT ka bërë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës.

Lidhur me këtë vendim të MINT ka pasur reagime të ashpra në vend.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, ARBK e ka anuluar vendimin për suspendimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës../Demokracia.com/

Të ngjashme