Lajme
Pasi s’ia hoqi asnjë presje marrëveshjes për energjinë, Kurti i gatshëm ta zbatojë edhe marrëveshjen e Hysenit për të pagjeturit
Demokracia
15:22 | 24 Gusht 2022

Share:

Albin Kurti pak para se të vinte në pushtet kishte deklaruar se do t’i rishikonte të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, pasi që shumica ishin të dëmshme.

Ai deklaronte se tridhjetë e tri marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rishikoheshin, shkruan Demokracia.com.

“Së pari duhet ta shohim se çfarë është zbatuar, çfarë jo dhe duhet ta shohim se cila ishte përmasa e ndikimit të atyre marrëveshjeve në jetën e qytetarëve, t’i nxjerrim mësimet e duhura sesi të ecim sigurt përpara”, kishte thënë ai.

Por, si shumë premtime të tjera, Kurti e “përpiu” edhe këtë, shkruan Demokracia.com.

Para një muaji, kryenegociatori i Kosovës e nënshkroi pa ia ndërruar asnjë pikë e presje edhe udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

E, së fundmi, Kurti ka shprehur gatishmërinë që ta zbatojë njëjtë edhe marrëveshjen për të pagjeturit, që ishte nënshkruar nga Skënder Hyseni.

Kurti ka thënë se është i gatshëm që të nënshkruajë marrëveshjen e dakorduar për çështjen e personave të pagjetur, megjithatë thotë se një gjë që të tillë s’është e gatshme ta bëjë Serbia.

Ai tha se marrëveshja për të pagjeturit është e gatshme dhe vetëm duhet edhe nënshkrimi i Serbisë.

Sipas tij, sa për Kosovën, marrëveshja do të nënshkruhej më 18 gusht në takimin e ndodhur në Bruksel.

“Në takimin e dytë është diskutuar për çështjet aktuale. Në tavolinë kanë qenë tema e personave të zhdukur me dhunë dhe ajo e lirisë së lëvizjes apo e vendimit të palës kosovare që të zbatohet një marrëveshje e arritur në Bruksel, marrëveshje e cila është zbatuar nga Serbia që nga korriku 2011. Te tema e personave të zhdukur me dhunë, s’ka pasur gatishmëri nga Serbia që të nënshkruhet dokumenti i dakorduar. Pra, për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti me përmbajtje dhe germë të dakorduara, por nuk ekziston nënshkrimi. Pa fajin tonë. Është pala tjetër ajo që s’ka pranuar. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjten që shkoi. Sa për neve, të enjten ishte nënshkruar kjo marrëveshje”, ka thënë kryeministri Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme