Lajme
Pasi mori direktiva nga Kurti, Gërvalla akuzon Ramën: Të mos sillet si i dërguar i BE-së 
Demokracia
17:00 | 12 Korrik 2023

Share:

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, komentoi përplasjen Rama-Kurti pas dërgimit nga Rama të draftit për asociacionin.

Gërvalla u shpreh se kryeministri i Shqipërisë nuk mund të sillet me Kosovën si i dërguar i BE, pasi Kosova, Shqipërinë nuk e sheh si pjesë të skenës ndërkombëtare, por si shtetin motër.

“Nuk mund të sillet Rama me Kosovën siç sillet përfaqësuesi i BE se ne kemi qytetarë në të dyja anët e kufirit dhe jo vetëm duhet të forcojmë bashkëpunimin por mund të bëhemi shembulli më i mirë. Nuk i takon as kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministrave të vendeve të tjera në rajon të na tregojë ku duhet të qëndrojnë kryetarët e komunave të zgjedhur më votë. Jemi mirënjohës për ata që përpiqen të kontribuojnë po kontributi nuk jepet duke anuluar mbledhje apo duke deponuar drafte në Berlin e Francë, por duke u ulur së bashku dhe duke gjetur zgjidhje që funksionojnë”, tha Gërvalla.

Sipas saj, kontributi nuk jepet duke “deponuar dokumente në Francë e Gjermani” apo “duke anuluar takime”.

“Jemi mirënjohës për ata që duan të kontribuojnë, por nuk jepet duke anuluar takime, as duke deponuar dokumente në Berlin e Francë. Kontributi jepet duke u ulur së bashku, duke biseduar, dhe duke gjetur zgjidhje që funksionojnë.” – deklaroi ajo.

Veç kësaj, Gërvalla deklaroi se nuk e ka parë draft statutin e propozuar nga Rama, por vlerëson se as që duhet të merret në konsideratë.

“Unë nuk e kam parë draftin, dhe t’ju them të drejtën, pavarësisht se çfarë përmban ai draft i pakoordinuar, nuk mendoj që është një draft që do të trajtohet dhe do të merret në konsideratë. Unë mund të ulem me kolegen time, si dy motra, dhe të trajtojmë çfarë elementesh mund të ketë të cilat mund të plotësojnë draftin tonë, por në një situatë të tillë, vetëm shkaktohen irritime dhe lëndime. “ – tha kryediplomatja.

Të ngjashme