Më në fund dhe pas disa orësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka gjetur disa fjalë për ta uruar Talat Xhaferin, i cili më 28 janar 2024 u votua Kryeministër i Qeverisë teknike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me një mandat 100-ditor.
Në urimin e tij, kryeministri Kurti ka injoruar tërësisht arritjen historike dhe kombëtare që Xhaferi u bë Kryeminsitri i Parë Shqiptar në Maqedoninë e Veriut, shkruan Demokracia.com.
Kurti mezi ka arritur të gjejë disa fjalë për të uruar Xhaferin, të cilit i është drejtuar si “ish-Kryetar i Kuvendit” dhe i cili “do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj”, referenca aspak të rëndësishme për ditën e madhe që shënuan shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, i drejtuar nga Ali Ahmeti.
“Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi. Një Maqedoni e Veriut me orientim të fortë euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës e fijeve të saj, një Maqedoni e Veriut që promovon vlerat e bashkëjetesës dhe lufton diskriminimin etnik, është ajo që dëshirojmë. Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun z. Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, z. Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, thuhet në reagimin e Kurtit të publikuar në Facebookun e tij.
Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, kanë dalë në mbështetje të tri partive opozitare shqiptare “Lëvizja Besa” e Bilall Kasamit, “Lëvizja Demokratike” e Izet Mexhitit dhe “Alternativa” e Afrim Gashit, të cilat bojkotuan seancën historike të votimit të Kryeministrit të Parë Shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pavarësisht këtij momenti historik nëpër të cilin po kalojnë shqiptarët me rol shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë opozitarizmit të tij kapej rreth ideve për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare në rajon, as kësaj radhe nuk është pozicionuar në mbështetje të realizimit të kësaj arritjeje historike. Në vend se t’i shërbejë unifikimit të spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Kurti e bëri të kundërtën.
https://demokracia.com/kryeministri-i-pare-shqiptar-ne-maqedonine-e-veriut-albin-kurti-mungon-prape-radhitet-ne-anen-tjeter-duke-i-mbeshtetur-kundershtaret-e-arritjes-historike/
Pikërisht këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Bekim Qoku, do të jetë kandidat për deputet në koalicionin Lëvizja Evropiane për Ndryshim, që përbëhet nga këto tri parti shqiptare opozitare. /Demokracia.com/
https://demokracia.com/nje-kryeminister-qesharak-albin-kurtin-e-nxjerr-ne-rrene-keshilltari-i-tij-bekim-qoku-vv-ja-merr-pjese-permes-meje-ne-zgjedhjet-e-maqedonise-se-veriut-video/