Lajme
Pasi i fali krimet serbe, Kurti me Konjufcën e Haxhiun nderojnë viktimat e masakrave në Qirez dhe Likoshan
Demokracia
19:43 | 28 Shkurt 2023

Share:

Pa kaluar as 24 orë që kur kryeministri Albin Kurti pranoi në Bruksel që të “kapërcehet trashëgimia e kaluar”, sikur të mos kishin ndodhur krime e masakra gjatë luftës në Kosovë, ai bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bënë homazhe në nderim të 24 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe më 28 shkurt 1998 në Likoshan dhe Qirez.

Ndonëse u pajtua me Vuçiqin që të harrohet e kaluara, Kurti tha sot se kjo hakmarrje ndaj civilëve të pambrojtur dhe të paarmatosur erdhi për shkak se Ushtria Çlirimtare e Kosovës po merrte hov dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses në përballje me forcat policore serbe, shkruan Demokracia.com.

E të njëjtën kohë kjo masakër, siç tha ai, shënon edhe masakrën e parë të luftës së fundit në Kosovë kur u bë edhe e qartë se rrugëtimi çlirimtar i popullit është i pashmangshëm dhe i pakthyeshëm.

“Me këtë rast si kryeministër, si qytetar, si shqiptar, ndaj dhembjen e pikëllimin me familjarët. Kemi shumë mall për ata që nuk janë në mesin tonë por në të njëjtën kohë ndjejmë edhe krenari për qëndresën e tyre dhe ndjejmë përgjegjësinë për drejtësinë për ta”, është shprehur kryeministri Kurti.

Siç njofton zyra e tij, në këto homazhe kryeministri Kurti shoqërohej edhe nga shumë kolegë e aktivistë të qendrës së Vetëvendosjes në Drenas dhe Skenderaj, zëvendësministra e deputetë të Kuvendit.

Çka pranoi Kurti në Bruksel?

Propozimi Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë dakorduar plotësisht Kurti dhe Vuçiq, në mbrëmjen e 27 shkurtit, përmban një detaj të rëndë për luftën e fundit në Kosovë.

Në preambulën e këtij Propozimi të dyja palët janë pajtuar për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës.

“Palët e dakorduara… të përkushtuar për të kontribuuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe PËR TË KAPËRCYER TRASHËGIMIN E SË KALUARËS”.

Ky është një nga detajet e rrezikshme të Propozimit me të cilin është pajtuar plotësisht Kurti, ashtu siç ka shprehur pajtueshmëri edhe për të gjithë dokumentin.

Trashëgimia e së kaluarës është e mbushur me krime të Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës, përgjegjësit e të cilave ende nuk kanë dalë para drejtësisë, me përjashtim të pak rasteve. /Demokracia.com/

Të ngjashme