Pak muaj pasi Inspektorati i Punës ia anuloi vendimin për rehatimin e auditores Mjellma Vokshi në KRU “Gjakova”, qeveria e Albin Kurtit ia gjeti asaj një vend tjetër.
Edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për auditore të brendshme në KRU “Gjakova”, e njëjta tashmë është zgjedhur në po këtë pozitë, veçse në Postën e Kosovës.
Mjellma Vokshi, në shtator të viti 2021, pa i plotësuar kriteret u përzgjodh auditore e brendshme në KRU “Gjakova”, por pasi me rastin u mor Inspektorati i Punës, u kërkua që të anulohej për shkak të shkeljes së procedurave rekrutuese, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, Mjellma Vokshi tashmë është përzgjedhur auditore e brendshme në Postën e Kosovës dhe shumë shpejt pritet të fillojë punën.
Demokracia.com ka mësuar se gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Auditor të Brendshëm ka pasur shkelje të procedurave në Postën e Kosovës.
Sipas burimeve brenda këtij institucioni pretendohet se në përzgjedhjen e kandidatëve është përfshirë edhe Bordi i Postës së Kosovës, përkundër që sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike, Auditori i Brendshëm përzgjidhet nga Komisioni i Auditimit. Por, në një përgjigje për Demokracia.com, Posta e Kosovës e ka mohuar një gjë të tillë.
“Procesi në tersi ka shkuar sipas procedurave, deri në zgjedhjen e ZA. Pikërisht ashtu si e kërkon Ligji për Ndërmarrje Publike, Auditori i Brendshëm është përzgjedh nga Komisioni i Auditimit dhe jo nga Bordi i Postës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës për Demokracia.com.
Edhe pse në KRU “Gjakova”, Mjellma Vokshi nuk i kishte plotësuar kriteret për Auditore të Brendshme, nga Posta e Kosovës thonë se ajo ka marrë shumicën e pikëve gjatë intervistimit nga Komisioni i Auditimit.
“Komisioni i Auditimit ka ftuar për intervistë kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret për intervistim. Pas intervistimit të të gjithë kandidatëve për këtë pozitë, Komisioni i Auditimit ka përzgjedh personin më me shumë poena, Znj.Mjellma Vokshi”, thuhet në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.
Posta e Kosovës ka njoftuar se për këtë konkurs kishte edhe ankesa nga kandidatët që nuk u pranuan për këtë pozitë. Megjithatë, sipas këtij institucioni, ankesat nuk janë trajtuar pasi që komisioni i ankesave ishte themeluar me vonesë nga Komisioni i Auditimit.
“Në lidhje me konkursin për ZAB ka pasur vetëm një ankesë, e cila ka shkuar në Komisionin e Ankesave si komision ad hoc, ku ky komision nuk e ka trajtuar me arsyetimin se ky komision është themeluar me vonesë nga Komisioni i Auditimit. Ankuesja në fjalë i është drejtuar dhe Inspektoratit të Punës në Prishtinë, të cilët sipas vendimit nr.01-3099/2021 të datës 23.12.2021 e kishte shpallur veten jokompetent për trajtim të rastit dhe kishte theksuar që ankesa duhet të i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës për Demokracia.com.
Komisioni i Auditimit, sipas Postës së Kosovës, duke marrë parasysh vendimin e Inspektoratit të Punës vlerëson që nuk ka asnjë pengesë ligjore që kandidatja e përzgjedhur të fillojë punën.
“Komisioni i Auditimit, i cili është emëruar tani në muajin mars 2022, duke marrë parasysh vendimin e Inspektoratit të Punës, si dhe duke mos pasur asnjë vendim tjetër nga ndonjë organ kompetent që e anulon, shfuqizon apo pezullon vendimin nr. 01-2675/2021 i datës 03.11.2021 mbi përzgjedhjen e Zyrtares për Auditim të Brendshëm, vlerësojë që nuk ka asnjë pengesë ligjore që kandidatja e përzgjedhur sipas vendimit nr. 01-2675/2021, datës 03.11.2021 mbi përzgjedhjen e Zyrtares për Auditim të Brendshëm të fillojë punën”, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës. /Demokracia.com/