Lajme
Pasaporta e Kosovës | Këta ishin kosovarët e parë që Hashim Thaçi ua dha solemnisht pasaportën e shtetit më të ri në botë
Demokracia
18:21 | 10 Janar 2024

Share:

Ishte data 30 korrik e vitit 2008, kur qytetari i parë i Kosovës u pajis me pasaportën e parë të Republikës së Kosovës.

Këtë pasaportë e dha në një ceremoni solemne kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan Demokracia.com.

Qytetarja e parë që u pajis me pasaportë të shtetit që kishte vetëm gjashtë muaj që ishte krijuar, ishte Teuta Begolli.

“Kjo është një ditë historike, etapë e re për Kosovën. Prej sot, qytetarët e kanë identitetin e vet. Ai është qytetar, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilën kemi sakrifikuar me vite”, kishte thënë Thaçi.

Atë ditë Thaçi tha se pasaportat do të dëshmojnë identitetin shtetëror të qytetarëve të Kosovës, ndërsa pajisja e qytetarëve me këtë dokument është edhe një dëshmi e rrugës dhe angazhimit për ndërtimin e shtetit.

E pak vite më pas, në vitin 2012, Thaçi solemnisht dhuroi edhe pasaportën e parë biometrike.

Kryeministri Thaçi në një ceremoni rasti i kishte dorëzuar pasaportën e parë biometrike Fatos Bajqinovcit.

Ai kishte thënë se pasaporta biometrike është parakusht edhe në rrafshin e sigurisë së dokumentave, por edhe në atë të liberalizimit të vizave.

“Duke marrë parasysh që deri më tani kemi shënuar një progres substancial në fushën e liberalizimit të vizave, si në fushën e riatdhesimit dhe riintegrimit, në regjimin e integruar të kufijve, sot po e avancojmë këtë proces me lëshimin e pasaportave biometrike”, theksoi ai.

Ky ishte një hap i madh për Kosovën, sipas Thaçit, pasi që ishte dokument që barazonte qytetarët e Republikës së Kosovës me ata të Bashkimit Evropian.

Gjatë viteve të mëpasme, me 118 njohje që iu bënë shtetit të Kosovës, pasaporta u fuqizua shumë.

Njëkohësisht me liberalizimin e vizave edhe Spanja njohu zyrtarisht pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet, sipas një dokumenti të publikuar më 5 janar në ueb-faqen e Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian.

Pasaporta e Kosovës tani është fuqizuar edhe më shumë në radhitjen botërore. Nga vendi i 91-të që ishte në ranglistën botërore, sipas indeksit të pasaportave, tani pasaporta kosovare është e 55-ta në botë për nga fuqia e saj.

Me pasaportën e Kosovës, pa vizë mund të udhëtohet në 50 shtete, në 41 të tjera viza mund të merret pas mbërritjes e për 107 shtete, nevojitet vizë.

Në kontinentin evropian, pasaporta e Kosovës është më e fuqishme sesa ajo e Armenisë dhe Azerbajxhanit, por prapa atyre të Ballkanit Perëndimor.

Në rang evropian, pasaportat më të fuqishme janë ato të Gjermanisë, Spanjës, Francës, Italisë e Holandës. Në rang global, pasaporta më e fuqishme është ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Pasaportat e vendeve të Ballkanit

Nga vendet e tjera të rajonit, pasaporta e Serbisë është në vendin e 32-të dhe me të mund të udhëtoni në 137 shtete pa vizë.

Pasaporta e Maqedonisë së Veriut është në vendin e 36-të, qytetarët e së cilës mund të udhëtojnë në 130 vende pa vizë.

Pasaporta malazeze është në vendin e 37-të dhe me të mund të udhëtoni në 129 shtete pa vizë.

Pasaporta shqiptare është në pozitën e 43-të me mundësi udhëtimi pa viza në 122 shtete dhe më poshtë është pasaporta e Bosnjë e Hercegovinës dhe ata që e zotërojnë mund të vizitojnë 121 shtete pa vizë.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 57 shtete, gjë që e vendos pasaportën tonë në vendin e 86-të.

Sipas Indeksit të Pasaportave, pasaporta e Sirisë është më e dobëta, në vendin e 98-të, qytetarët e së cilës mund të udhëtojnë pa viza në 40 vende të botës, ndërsa pasaportat e Afganistanit dhe Irakut renditen në vendin e 97-të dhe 96-të, ndërsa udhëtimin pa viza mund ta bëjnë në 41, respektivisht 43 shtete të botës. /Demokracia.com/

Të ngjashme