Lajme
Pas zjarrit, Instituti i Mjekësisë Ligjore në “mëshirë të fatit”
Demokracia
21:21 | 10 Dhjetor 2023

Share:

Instituti i Mjekësisë Ligjore para më shumë se dy jave u kaplua nga zjarri dhe se ende nuk ka filluar asnjë pjesë e atij objekti të renovohet.

Pas gati tre javësh, që kur ka ndodhur zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ende nuk ka filluar sanimi i dëmit të shkaktuar nga zjarri.

Dritaret e hapura e ambienti totalisht i shkatërruar në dy zyre, nuk kanë ndryshuar ndonëse punët po kryhen nga ky institucion.

E pse nuk kanë filluar renovimet, tregoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të IML-së.

“Nuk ka filluar asnjë renovim, sepse ende jemi në procedura të vlerësimit të dëmit dhe sigurisë së objektit, kështu që nuk ka çka me u pa në këtë fazë”, deklaroi Ditor Haliti për TV Dukagjinin.

Se kur mund të fillojnë renovimet apo në cilën fazë të vlerësimit të dëmit gjendet ky objekt, nuk ka kthyer përgjigje nga Ministria e Drejtësisë.

Por shpresa që renovimi mund të fillojë shpejt, nuk ka ish-sekretari në Ministrinë e Drejtësisë, Ardian Bajraktari.

“Jemi relativisht në fund të vitit fiskal, prandaj në rrjedhë të kësaj, natyrisht që duke qenë se është ka qenë tragjedi, ka qenë e paplanifikuar, e paparashikuar dhe mjete buxhetore të ndara për këtë çështje nuk ka pasur. Duke qenë se tashmë ë jemi në fundvit, vlerësoj që Ministria e Drejtësisë do të duhej fillimisht të parashihte mjete buxhetore për renovimin e këtij objekti”, deklaroi Bajraktari.

Në lidhje me temën është pyetur edhe Prokuroria se në çfarë faze të hetimeve është rasti për zjarrin aty, por të njëjtën nuk janë përgjigjur.

Të ngjashme