Lajme
Pas vizitës së Kurtit shtohet presioni për mbajtjen e mësimit në Podujevë, flet drejtori i shkollës
Demokracia
11:58 | 06 Shtator 2022

Share:

Stafi i shkollës “Enver Maloku” në Podujevë është duke u përballur me presion të vazhdueshëm për mbajtjen e mësimit.

Këtë shkollë dje e ka vizituar edhe kryeministri Albin Kurti dhe nga dita e djeshme mësimdhënësve po u ushtrohet presion për mbajtjen e mësimit.

Drejtori i kësaj shkolle, Agim Hamza, ka mohuar për Demokracia.com se është duke u ushtruar presion për mbajtjen e mësimit, derisa ka konfirmuar se mësimi në këtë shkollë është duke vijuar.

Ai ka thënë se kryeministri Kurti e ka vizituar këtë shkollë për ta shpërndarë Abetaren dhe sipas tij nuk ka pasur asnjë kërkesë për trysni lidhur me fillimin e mësimit.

“Po, mësimi është duke u mbajt. Tash jemi tu prit edhe ndërrimin e pasdites. Duhet me pas fakte, asnjëherë kjo gjë nuk mundet me ndodh, s’ka shanse. Edhe unë jam anëtar i sindikatës. Nuk ka presion në asnjë formë. Bile nuk e di a ka më shumë demokraci sesa që ka në shkollën tonë. Nuk kam asnjë arsye, asnjë motiv edhe nuk ndodh as nuk ka ndodhur. Kryeministri ka ardhur me e shpërnda Abetaren e përbashkët, vizitë e cila është planifikuar të mbahet më 1 shtator, në ditën kur duhej të fillonte mësimi, nuk ka fillu edhe e kemi mbajt dje. Në asnjë formë dhe asnjë fjalë të vetme nuk e ka thënë kryeministri, që të bëhet trysni apo ndonjë lutje, sepse ai e dinë se për çka jemi të thirrur ne. Unë nuk jam drejtor vetëm sot, unë nuk i përkas asnjë partie, jam që 17 vjet drejtor”, ka thënë Hamza për Demokracia.com.

Ndryshe, vizita e Kurtit në këtë shkollë është kritikuar ashpër dhe është parë si presionit drejtuar mësimdhënësve që ta ndërpresin grevën.

Nga Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut u kanë bërë thirrje prindërve që të heqin dorë nga metodat e tilla për ta thyer grevën e mësimdhënësve, duke i dërguar nxënësit në shkollë, sepse greva s’do të ndërpritet.

Përmes një reagimi drejtuar mediave, SBASHK ka thënë se presionet janë të vazhdueshme në disa komuna për ta ndërpresin grevën, duke përmendur vizitën e kryeministrit Albin Kurti në shkollën “Enver Maloku” në Podujevë.

“Ju bëjmë apel prindërve që edhe përkundër që numri është i vogël që tentuan me nxënës ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve, që të heqin dorë nga kjo metodë, sepse në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet. Presionin ta orientojnë drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore.

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut është duke i përcjell me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë sonë. Të gjitha këto do t’i paraqesim pranë organeve të drejtësisë”, thuhet në reagim. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme