Në komunën e Gjilanit janë evakuuar 15 persona, ndërkaq kanë qenë 87 kërkesa për ndihmë si pasojë e vërshimeve pas reshjeve të fundit të shiut dhe bores.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se ka themeluar grupin punues për menaxhimin e situatës, ku pos institucioneve të Komunës, do të jenë të përfshira edhe KRU Hidromorava, Policia e Kosovës dhe FSK.
Ndërkohë, siç bëhet e ditur, në terren që nga e diela kanë qenë në vazhdimësi ekipet e Komunës, të kryesuara nga drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim, Sami Spahiu dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça.
“Nga këto vërshime është vërshuar dhe rrezikuar dje edhe trafostacioni kryesor i qytetit TS 110/KË Gjilani 5 nga vërshimi ujit në ora 11:50, ekipet emergjente kanë vendos pompa uji dhe është shmangur rreziku nga përmbytja totale e këtij trafostacioni me rëndësi të qytetit. Gjithashtu në disa pjesë të qytetit uji pijshëm është ndërprerë përkohësisht, sikurse edhe energjia elektrike për shkak të intervenimeve në terren nga e ekipet e shpëtimit të NJPZSH”, ka deklaruar Spahiu.
Spahiu tha se nga ora 10:30 e datës 10.01.2020 deri në ora 08:00 datë 11.01.2020, ka pasur 87 kërkesa për ndihmë për intervenime nga vërshimet, ku janë evakuuar 15 persona (Gjilan 5, Malishevë 2, Uglar 3, Bresalc – Jabuqtë 4 dhe Shillovë – komuniteti Serb – 1.
“Pjesët më të prekura në qytet janë nga vërshimet e lumit Stanishorka tek lagjja Porodini, rruga qarkore, tek ish-INA, tek pishina Hawai, tek Fabrika Baterive, HIB petrol, ndërsa lumi Mirusha ka dal nga shtrati mbi rrugën qarkore, në Dardani I, Rr. Beqir Musliu. Fshatrat në hyrje të Malishevës, Uglar, Perlepnicë, Livoç i Ulët, Livoç i Epërm, Kuvcë, Bresalc, Kosaqë e shumë vende tjera”, ka njoftuar ai.
Sipas tij, dëmet deri më tani janë shumë të mëdha në infrastrukturë, në pronë shtetërore dhe private.
“Ekipet tona të emergjencave ende janë në terren, duke ofruar ndihmën me gjitha mjetet në dispozicion dhe bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë të reshurave dhe vërshimeve, t’i shmangin lëvizjet në rrugë dhe për raste urgjente për evuuakim apo rrethanë tjetër të kontaktojnë ne numrat emergjent, 193 dhe 112”, ka deklaruar drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, Sami Spahiu.