Lajme
Pas tri ditësh, kryeministri Kurti reagon nga Athina për helmimin e qytetarëve në Deçan
Demokracia
14:36 | 13 Korrik 2021

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tek sot ka reaguar pas helmimit të qytetarëve në komunën e Deçanit.

Kurti, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Athinë, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka komunikime të vazhdueshme me institucionet përgjegjëse lidhur me këtë rast. Duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes.

Ndryshe, që nga dita e shtunë deri me sot më shumë se 1 mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.

Postimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë të Komunës së Deçanit,

Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.
Në bisedë me Kryetarin e Komunës, z.Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit.

Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë Zëvendëskryeministrja znj.Donika Gërvalla dhe Ministri i Shëndetësisë, z.Arben Vitia.

Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes.
Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme