Lajme
Pas takimit të fshehtë me homologun palestinez, Demokracia.com zbulon çfarë foli Gërvalla edhe me ambasadoren izraelite
Demokracia
15:18 | 11 Prill 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ishte takuar me homologun e saj palestinez, Riyad Al-Maliki, në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë, i cili u mbajt me 11-13 mars. Por, Gërvalla e kishte mbajtur të fshehtë këtë takim, deri në ditën kur Demokracia.com raportoi për të.

Në ditën që Demokracia.com ia zbuloi takimin që e kishte mbajtur të fshehtë, Gërvalla e priti në takim ambasadoren izraelite jorezidente në Kosovë, Tamara Ziv. Diplomatja izraelite është ambasadore jo-rezidente dhe punën e saj e bën nga zyra e saj në Jerusalem, derisa të marr epilog çështja e ambasadës së Izraelit në Kosovë.

Megjithatë, disa ditë pas këtij takimi të Gërvallës me ambasadoren izraelite, Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht edhe se çfarë kanë biseduar së bashku në takimin e 5 prillit në MPJD.

Fillimisht, ambasadorja izraelite Tamara Ziv ishte shprehur e nderuar që është ambasadorja e parë për Kosovën. Ndërkaq, Gërvalla e kishte kënaqur atë më pas me “llafe”, duke ia treguar edhe lidhjet e saj të veçanta me Izraelin qysh para njohjes së pavarësisë.

Gërvalla ia kishte treguar ambasadores Ziv edhe një lidhje të saj me qytetin Tel Aviv dhe me një familje nga një fshat aty, por edhe për një relacion të veçantë që kishte pasur me një pjesëtar të komunitetit hebre në Gjermani, përkatësisht me Ignatz Bubis, i cili është edhe politikan liberal.

Gërvalla dhe ambasadorja izraelite atë ditë kanë folur edhe për situatën në Ukrainë dhe për ndikimin e luftës ruso-ukrainase në regjion, shkruan Demokracia.com.

Ambasadorja Ziv, po ashtu, ishte shprehur e lumtur me prezencën e grave në pozita vendimmarrëse në Kosovë, ku më pas Gërvalla i kishte treguar që parlamenti kosovar përbëhet prej rreth 40 për qind me gra, porse rreth 81 për qind e grave në Kosovë janë të papunësuara.

Ndërkaq, ambasadorja Ziv ishte treguar e hapur, duke thënë se Izraeli ofron punë për profesionistë nga vende të ndryshme dhe Kosovë ka shumë ekspertë që do të mund të punonin dhe të paguheshin mirë atje.

Gërvalla më pas i ka treguar ambasadores izraelite se 85 për qind e produkteve të IT-së nga Kosova importohen në Amerikë dhe Gjermani, deri sa idenë për punë nga Izraeli e ka ndërlidhur edhe me universitetet në Kosovë, që për fokus e kanë IT-në dhe programimin.

Ambasadorja izraelite i kishte thënë Gërvallës se gjatë vizitës së saj në muajin maj në Izrael mund t’i mundësojnë takime me universitete të ndryshme, ku njëri ndër ta mund të jetë edhe Bar-Ilan University, në krye të të cilit është një grua nga Maqedonia e Veriut, familja e së cilës u shpëtua nga një shqiptar nga Kosova.

Ziv, po ashtu, i kishte treguar Gërvallës së gjatë vizitës së saj në Izrael parashihen të nënshkruhen marrëveshje në fushën e bashkëpunimit dhe edukimit.

Më pas ministrja Gërvalla dhe ambasadorja izraelite kanë folur edhe për filmin, specifikisht për filmin “HIVE”, si dhe mundësitë e bashkëpunimit të artistëve nga Kosova dhe Izraeli.

Në fund Gërvalla ka kërkuar që gjatë vizitës së saj në Izrael të shihen mundësitë e bashkëpunimit edhe në agrikulturë, në sigurinë kibernetike, e-digjitalizimin dhe energjinë. /Demokracia.com/

Të ngjashme