Lajme
Pas takimit me Osmanin, Lajçak i shkon në zyrë Kurtit
Demokracia
15:33 | 30 Janar 2024

Share:

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka nisur takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa më vonë, ai pritet të takohet edhe me zëvendëskryeministrin kosovar, Besnik Bislimi, njëherit shef i ekipit negociator të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Para vizitës në Prishtinë, ai të hënën qëndroi edhe në Beograd, ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por edhe shefin e ekipit negociator të palës serbe, Petar Petkoviç, me të cilët diskutoi për “hapat e ardhshëm” në procesin e dialogut nën ndërmjetësimin dhe kujdesin e BE-së.

“Me të mbërritur në Beograd sot në mëngjes, u takova me Vuçiçin. Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi gjendjen e lojës në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, shkroi diplomati sllovak në platformën X të hënën.

Lajçaku vjen në Beograd dhe Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për të përcaktuar shpejtësinë e dakordimit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u takuan për herë të fundit në shtatorin e vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa në tetor u takuan veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për t’i shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt zbatimit të marrëveshjeve dhe zbutjen e tensioneve.

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024