Pas skandalit të rrjedhjes së listës së pagave të qytetarëve shqiptare dhe pikëpyetjeve të shumta për sigurinë e të dhënave personale në Shqipëri, qeveria shqiptare ka vendosur që të negociojë me shoqërinë “Jones Group International”, me qëllim forcimin e sigurisë kibernetike.
Kontrata do të negociohet me procedurë të veçantë dhe ka si synim përmirësimin e sistemit të sigurisë kibernetike në institucionet shtetërore në disa aspekte të caktuara të tij, me qëllim mbrojtjen e të dhënave elektrike që administrojnë dhe përpunojnë këto institucione.
Shoqëria “John Group”, është një shoqëri e regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe është degë e shoqërisë së huaj “Jones Group International”, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me qendër në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e themeluar në 14.7.2011 dhe me kapital tërësisht amerikan. “Kjo shoqëri ka një ekspertizë që pikas në fushën e dhënies së ekspertizës dhe ka përfunduar me sukses në vendin tonë dy projekte në sigurinë kibernetike dhe 5G” evidentohet në relacionin e nismës.
Në emër të qeverisë shqiptare, kontrata do të negociohet nga Autoriteti Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit.
“Akti nuk parashikohet të sjellë asnjë problematikë apo efekt të pritshëm negative gjatë zbatimit të tij, pasi kemi të bëjmë me një akt rregullator, i cili i hap rrugën kryerjes së procedurave të tjera negociuese, me qëllim realizimin në praktikë të këtij projekti të madh e mjaft të nevojshëm për sigurinë kibernetike në vend.
Mjaft efekte pozitive pritet të ketë zbatimi i projektaktit të propozuar, sepse do t’i hapë rrugën negociimit të kontratës, e cila do t’u ofrojë institucioneve vendase shtetërore kryerjen e vlerësimeve kibernetike gjithëpërfshirëse për çdo agjenci civile qeveritare dhe agjenci të mbrojtjes kombëtare, duke na bërë institucione më të sigurta dhe të afta për të qenë partnere të shteteve të tjera anëtare të NATO-s” shkruhet në relacionin e nismës së depozituar në Kuvend.
Projekt akti parashikon, para së gjithash, autorizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, që, në cilësinë e autoritetit kontraktues, të negociojë dhe të lidhë një kontratë shërbimi me shoqërinë amerikane “Jones Group” për realizimin e shërbimeve të mëposhtme:
a) Kryerjen e vlerësimeve kibernetike gjithëpërfshirëse për çdo agjenci civile qeveritare dhe agjenci të mbrojtjes kombëtare;
b) Hartimin e planeve të transformimit kibernetike për secilën agjenci, të pasuara nga zbatimi i këtyre planeve të transformimit;
c) asistimin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar, zbatuar e operuar një Qendër Kombëtare të Operacioneve të Sigurisë Kibernetike (QOSK) për qeverinë shqiptare dhe agjencitë e saj, për të përfshirë zhvillimin e teknologjisë dhe të ndërfaqeve të nevojshme;
ç) Dhënien e asistencës për krijimin e Qendrës Shqiptare të Ekselencës për Sigurinë Kibernetike në Tiranë.
Në këtë kuadër, përveç fushave të veprimtarisë, ku do të fokusohet bashkëpunimi, akti i propozuar parashikon edhe mekanizmat ligjorë me anë të të cilit do të realizohet ky bashkëpunim. Në këtë kuadër, projektligji parashikon që bashkëpunimi do të realizohet mbi bazë të dhënies së të drejtës së shërbimeve të sipërcituara pa konkurrim, por nëpërmjet procedurave negociuese të kontratës ndërmjet palëve, negociim, i cili, nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, do të drejtohet nga AKSHI dhe do të ketë në përbërje të saj përfaqësues të institucioneve ekzekutive kryesore në vend, raporton SCAN.
Gjithashtu, akti i propozuar parashikon edhe vijimin e procedurave të negociimit të kontratave sektoriale, përsëri me autoritet kontraktor AKSHI-n, referuar fushës së përgjegjësisë shtetërore të saj, por me prezencë në negociata të përfaqësuesve të secilit sektor, pjesë e agjencive shtetërore të vendit, me qëllim realizimin e përfitimin e produkteve cilësore të përftuara.