Lajme
Pas Signal, zyrtari amerikan përdor një tjetër platformë
Demokracia
13:35 | 04 Maj 2025

Share:

Mike Waltz ishte zyrtari i sakrifikuar i Donald Trump për skandalin e mesazheve në Signal, ku u ndanë mesazhe që përmbanin informacione të klasifikuara.

Ai humbi postin si këshilltar i sigurisë kombëtare dhe u nominua nga Trump për postin e ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara.

Por skandali i Signal ka vazhdimisht detaje të reja, që tregojnë se edhe pas publikimit të mesazheve zyrtarët e lartë të sigurisë amerikane, nuk I kushtuan rëndësi aplikacioneve që përdorin.

Një foto e publikuar nga Reuters, gjatë një mbledhjeje të kabinetit, tregon Waltz duke përdorur një version të modifikuar të Signal.

Në ekranin e celularit të tij dukeshin emrat e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance dhe drejtoreshës së inteligjencës Tulsi Gabbard.

Aplikacioni, i ngjashëm me Signal, quhet TeleMessage, i cili përdor disa nga teknologjitë e enkriptimit të Signal, ndërsa gjithashtu u lejon klientëve të arkivojnë mesazhet.

Imazhi shton shqetësimet e vazhdueshme rreth mënyrës se si Waltz dhe anëtarë të tjerë të administratës Trump po komunikojnë, dhe veçanërisht se si po diskutojnë informacionin e klasifikuar ose të ndjeshëm.

Edhe pse Signal vlerësohet shumë nga ekspertët e sigurisë kibernetike, qeveria federale ka sisteme dhe protokolle specifike për transmetimin e informacionit dhe mesazheve të ndjeshme.

Zyrtarët duhet të përdorin sisteme intraneti që janë pothuajse tërësisht të mbyllura nga pjesa tjetër e botës dixhitale, për të parandaluar rrjedhjen e mundshme të informacionit.

Të ngjashme