Lajme
Pas shtatë muaj pritjeje, Biden fton Netanyahun të takohen në SHBA
Demokracia
23:02 | 17 Korrik 2023

Share:

Presidenti Joe Biden ftoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtetet e Bashkuara për një takim, i pari që kur ky i fundit u kthye në detyrë në fund të vitit të kaluar, tha të hënën zyra e Netanyahut.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Biden ftoi kryeministrin Netanyahu që të takohej me të në SHBA gjatë një telefonate të hënën, pas shtatë muajsh “pritjeje”.

Ftesa vjen në një kohë kur Uashingtoni vazhdon të shprehë mosmiratimin ndaj reformave të diskutueshme ligjore të qeverisë izraelite dhe politikave të tyre në Bregun Perëndimor, përcjell Telegrafi.

Lajmi gjithashtu vjen në të njëjtën ditë që presidenti izraelit Isaac Herzog do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara për një vizitë ku pritet të takohet me Biden në Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti Biden e ftoi kryeministrin Netanyahu për një takim së shpejti në SHBA”, tha në një deklaratë zyra e kryeministrit izraelit.

“Kryeministri e pranoi ftesën dhe u ra dakord që ekipet izraelite dhe amerikane të koordinojnë detajet e takimit”.

Javët e fundit qeveria Netanyahu ka nisur një ofensivë të re politike për të kaluar një rishikim të diskutueshëm ligjor, kundër të cilit vetë Biden është shprehur hapur.

Kundërshtarët kanë paralajmëruar se reformat kërcënojnë demokracinë e Izraelit dhe janë mbajtur demonstrata të rregullta masive që kur u zbuluan në janar.

Të ngjashme