Lajme
Pas shpërthimeve në Kiev, Zeleksky: Po përpiqen të na zhdukin nga faqja e dheut
Demokracia
09:12 | 10 Tetor 2022
Ekipet e shpëtimit në vendin e ngjarjes pas sulmeve ruse në Kiev më 10 tetor 2022. FOTO: AP

Share:

Sulmet në mbarë Ukrainën këtë mëngjes tregojnë se Rusia “po përpiqet të na shkatërrojë dhe të na zhdukë nga faqja e dheut”.

Kështu deklaroi sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një deklarim në rrjetin social Telegram, Zelensky përmend shpërthimet në Kiev, Zaporizhzhia dhe Dnipro, duke thënë se; “alarmi mbetet në të gjithë Ukrainën”.

“Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur”, shtoi ai, para se t’u kërkojë bashkatdhetarëve të qëndrojnë në strehimore.

Rusia nuk ka komentuar ende për sulmet e mëngjesit të sotëm, përfshirë edhe kryeqytetin Ukrainës, Kiev. Këto sulme edhe më tej po vazhdojnë, kurse njerëzit ndodhen të strehuar në bunkerë e bodrume të ndërtesave.

Në një mesazh për banorët, administratori ushtarak i qytetit, Oleksiy Kuleba, siguron se sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase po funksionojnë, por theksoi- “se alarmi ajror është ende në fuqi”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që të mos fotografojnë ose filmojnë vendet e goditjeve nga raketat ose infrastrukturës së dëmtuar në kryeqytet sepse mund të rrezikojnë jetën. Kryeqyteti i Ukrainës ka rreth 3 milionë banorë.

E në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, ka thënë se;- “guximi i vendit të tij nuk do të shkatërrohet kurrë nga raketat e terroristëve, edhe kur ato godasin zemrën e kryeqytetit tonë”.

Duke shkruar në Twitter, Oleksii Reznikov tha se sulmet ruse;-“gjithashtu nuk do të trondisin vendosmërinë e aleatëve tanë”.

Ai deklaroi se e vetmja gjë që rusët shkatërrojnë në mënyrë të pakthyeshme është e ardhmja e vetë Rusisë. “E ardhmja e një shteti mashtrues terrorist e të përbuzur globalisht.”

Ndërkohë, sipas përditësimit të informacioneve nga Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, sulmet e mëngjesit të sotëm të raportuara në të gjithë vendin si edhe në Kiev, vijnë në kohën kur:-“ka presion mbi forcat ruse në rajonet veri-lindore dhe jugore”.

Sipas kësaj ministrie, Moska i ka dhënë përparësi të lartë operacioneve të saj pranë qytetit lindor të Bakhmut – duke thënë se trupat e Kremlinit kanë avancuar 2 km (1.2 milje) drejt qytetit në dy akse gjatë javës së kaluar. Pretendohet se në kuadër të forcave ruse janë përfshirë edhe të burgosur.

E në anën tjetër, Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky, thotë se: -“sulmet e qëllimshme në qendër të Kievit, si dhe sulmet në Zaporizhzhia në jug dhe Dnipro në Ukrainën qendrore, janë edhe më shumë prova të paaftësisë terroriste të Kremlinit”. /Rtk

Të ngjashme