Lajme
Pas rezultatit zgjedhor, reforma e thellë brenda PDK-së është e domosdoshme
Demokracia
21:01 | 11 Mars 2021

Share:

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar reformë të thellë të brendshme, e një gjë të tillë njohësit e çështjeve politike po e shohin si të domosdoshme.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij vitit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), doli e dyta duke siguruar 137 mijë e 722 vota apo 17.41 për qind.

Kjo u pa nga vetë PDK-ja si rezultat i mungesës së kreut të këtij subjekti politik, Kadri Veseli, i cili ka thënë dorëheqje pas aktakuzës së ngritur nga Dhomat e Specializuara.

Por në anën tjetër, ka qenë vetë ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili të martën në një emision televiziv paralajmëroi reformë të thellë brenda partisë.

Reforma e thellë brenda PDK-së po shihet si e domosdoshme nga njohësit e çështjeve politike në vend, e sidomos pas rezultatit zgjedhor që ka arritur ky subjekt politik në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Opinionisti Visar Ymeri ka thënë për Demokracia.com, se përveç reformës, PDK-ja ka nevojë edhe për riprogramim.

Sipas tij, në zgjedhjet e 14 shkurtit u vërtetua se kjo parti nuk mund të thirret vetëm në vlerat e UÇK-së.

“PDK definitivisht ka nevojë për reformë dhe riprogramim. Zgjedhjet e 14 shkurtit dhe rezultati i tyre i kanë goditur më së shumti partitë tradicionale e me to edhe PDK-në. Ky rezultat tregon se elektoralisht dhe politikisht e kaluara partiake dhe thirrja në meritat e UÇK-së nuk mjaftojnë më. Aq më tepër që qëndrimi i gjatë i PDK në pushtet që prej shpalljes së pavarësisë e ka konsumuar atë. Ka shumë raste e afera të keq qeverisjes e keqmenaxhimit të cilat PDK nuk i adresuar sa e si duhet. PDK duhet të gjejë mënyrën se si të shkëputet nga e kaluara. Për më tepër se kaq PDK i duhet jo vetëm reforma kadrovike e strukturore/udhëheqëse por para së gjithash ideologjizimi e konceptualizimi politik”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, PDK-ja duhet të ndryshojë në mënyrë që edhe të jetë një opozitë më e fortë.

“Pyetja kryesore këtu është nëse lidershipi aktual e ka fuqinë politike për ta bërë një gjë të tillë. E pastaj nëse e ka vullnetin për ta bërë një gjë të tillë. Dhe në fund se si do ta bëjë PDK opozitën. Kjo do të jetë mundësia e PDK-së, mes konstruktivitetit që mund t’i lexohet si nënshtrim dhe opozitarizmit populist që do ishte i sforcuar e i dëmshëm. Mendoj që PDK duhet të jetë opozitë ideore dhe e vendosur që paraqet një vijë të qartë ideologjike e konceptuale kundër qeverisjes dhe që mendon strategjikisht e jo (vetëm) taktikisht”, theksoi Ymeri për Demokracia.com.

Në anën tjetër edhe Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike në vend ka thënë për Demokracia.com se edhe PDK-ja ka nevojë shumë të madhe që të diskutojë çështjen e rezultatit zgjedhor, pasi siç theksoi ai, fokusi është vënë vetëm mbi LDK-në.

Sipas Mushkolajt, PDK-ja duhet të bëj ndryshime dhe të shikojë para dhe jo prapa. Duke thënë se “duhet të presim kthimin e Veselit nga Haga”, kjo do të ishte një pritje e kotë sa i përket funksionimit të partisë.

“Kohën e fundit mediat edhe opinioni publik më shumë janë duke u marrë me LDK-në për shkak të ngjarjeve që po zhvillohen aty, respektivisht për shkak të rezultatit të dobët që kjo parti e ka arritur në zgjedhje dhe njëfarë forme sikur është duke u amnistuar PDK-ja, e cila unë besoj se ndoshta jo në masën sa LDK-ja, por ka nevojë shumë të madhe që të diskutohet jo vetëm për rezultatin por edhe për ecjen tutje të PDK-së. Të mos harrojmë se PDK-ja funksionon me një ushtrues detyre të kryetarit kështu që është e domosdoshme që të mbahen zgjedhjet në këtë subjekt politik dhe të zgjedhën strukturat e reja në kuptimin që të zgjidhet një kryetar me kompetenca të plota në kuptimin e besimit që e merr nga anëtarësia. Të mos vazhdojë të funksionojë më PDK-ja e dyzuar në kuptimin që kryetarin e kemi në Hagë ndërkaq ne jemi në pritje të kryetarit kur ai të kthehet. Këto janë thjeshtë pritje të kota në kuptimin e funksionimit të partisë për shkak se partia duhet të funksionojë në mënyrë të plotë, pa menduar se a do të kthehet kryetari apo nuk do të kthehet. Kështu që me këtë logjikë, së pari PDK-së i duhet zgjedhje të reja, i nevojitet zgjedhje e strukturave të reja, kryetarit të ri ose konfirmim i kryetarit aktual sepse nuk e di se si do të vendosin strukturat e PDK-së”, u shpreh Mushkolaj për Demokracia.com.

Tutje ai ka thënë se sa i përket reformës brenda PDK-së, një gjë të tillë e kishte filluar edhe Kadri Veseli, por që nuk arriti të marrë mbështetje.

“Dhe në anën tjetër edhe ajo që njihet si reformë e që në njëfarë mënyre e pat filluar ish-kryetari i PDK-së zotëri Veseli, por që i pat hasur “sharra në gozhdë”, duke pasur parasysh në njëfarë forme kundërshtimin që në atë kohë pat ardhur nga figurat e fuqishme të PDK-së të cilët duket se nuk ishin të gatshëm t’i nënshtroheshin një reformimit të partisë dhe humbjes së privilegjeve që i kishin, i kanë dhe vazhdojnë t’i kenë në parti”, tha Mushkolaj.

Ai ka thënë se PDK-ja duhet të bëj reformë në funksionimin e partisë pasi që rezultati i 14 shkurtit duhet të jetë alarm për PDK-në dhe LDK-në.

“Kur po them reformë, nuk po flas vetëm për emra të ri ose mosha të reja, këtu po flas për reformë më shumë në kuptimin e mendësisë së funksionimit të partisë. Një parti e cila është e vërtetë që e ka bazën e krijuar nga njerëzit që kanë qenë pjesë e luftës, por 21 vjet pas dhe në bazë të rezultateve që ka arritur, duket që kjo nuk mjafton por nevojitet një qasje e re në mënyrë që të mbahet elektorati aktual por edhe të merret elektorat i ri. Rezultati i 14 shkurtit duhet me qenë alarm edhe për PDK-në sikurse edhe për LDK-në. Të gjitha gjërat kanë ndryshuar dhe në fakt njerëzit më nuk po e japin votën vetëm bazuar në trashëgiminë e luftës që e ka PDK ose në trashëgiminë e politikës paqësore çfarë e ka LDK-ja”, theksoi Mushkolaj për Demokracia.com.

Skeptik për reformat në PDK shprehet Shkodran Ramadani, njohës i zhvillimeve politike në vend. Ramadani për Demokracia.com ka thënë se është skeptik nëse brenda PDK-së do të ketë ndryshime rrënjësore dhe nuk e ka të qartë se për çfarë reforme ka folur Hoxhaj.

“Kur thotë reformë të thellë nuk e kam të qartë për çfarë reforme e ka fjalën ai, a është duke kërkuar ndërrimin e komplet strukturave, prurjen e figurave të reja apo reformimin në aspektin e të menduarit. Unë jam skeptik që Partia Demokratike e Kosovës do të bëj ndryshime rrënjësore për shkak se, rendi e dëfton që liderët e saj mund të kthehen për pak kohë, ndoshta brenda një apo dy viteve, përsëri të merren me politikë dhe kjo pak do ta ndal hovin edhe do të jetë pengesë për plane për reformë thelbësore në parti për shkak se nëse del që liderët të kthehen, atëherë do t’ia pamundësosh këtyre që janë këtu të bëhen përnjëmend lider të partisë”, ka thënë Ramadani.

Theksojmë se Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit ka arritur që t’i mbledh 137 mijë e 722 vota apo 17.41 për qind, rezultat ky që e radhiti të dytën dhe një herësh rezultati më i dobët në zgjedhjet parlamentare që ka arritur ky subjekt politik. /Demokracia.com/

Të ngjashme