Lajme
Pas rekomandimit të INPO-s, Komuna e Shtimes ndryshon kërkesat e dosjes së tenderit
Demokracia
16:34 | 23 Qershor 2022

Share:

Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, organizata INPO është duke monitoruar edhe aktivitetin e prokurimit me titull: “Shërbime të interpretimit dhe përfaqësimit të jashtëm ligjor, për komunën e Shtimes”, me numër të prokurimit 617-22-6036-2-3-6 dhe vlerë të parashikuar 8,800 euro.

INPO gjatë monitorimit të aktivitetit ka vlerësuar se Komuna e Shtimes ka vendosur kritere shumë të larta dhe jo proporcionale lidhur me kërkesat mbi mundësitë teknike dhe /ose profesionale. Konkretisht bëhet fjalë për kërkesën numër 3 “Të jetë shoqëri e avokatisë dhe të ketë së paku 5 (pesë) avokatë me licencë nga organet kompetente”. Kjo kërkesë është shumë e lartë për faktin se në Republikën e Kosovës nuk ka të regjistruar asnjë shoqëri të avokatëve me pesë (5) avokatë, madje nuk ka të regjistruar shoqëri as me katër (4) avokatë. Në fakt në Kosovë, në Odën e Avokatëve janë të regjistruara njëmbëdhjetë (11) shoqëri me nga dy (2) avokatë dhe tri (3) shoqëri me nga tre (3) avokatë (Burimi Oda e Avokatëve të Kosovës).

INPO nëpërmjet një reagimi të brendshëm më 20.06.2022, ka kërkuar që nëpërmjet Formularit B54 – Formulari për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara, të ulet kjo kërkesë, në mënyrë që të sigurohet konkurrencë.

Më 22.06.2022, Komuna e Shtimes e ka ulur këtë kërkesë nga pesë (5) avokatë në tre (3), dhe ka qartësuar se nuk është me patjetër që shoqëria të jetë e regjistruar me aq numër të avokatëve, por mundet që edhe me marrëveshje të shoqërisë me avokat tjerë të arrihet ajo kërkesë.

Shih Formularin për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara:

INPO falënderon Komunën e Shtimes për adresimin e rekomandimeve dhe bashkëpunimin e treguar.

INPO do të vazhdoj ta monitoroj prokurimin publik në gjithë Republikën e Kosovës.

Të ngjashme