Lajme
Pas “qortimit” nga ambasadori Hovenier, Albulena Haxhiu njofton se nuk do të shkojë në SHBA
Demokracia
19:57 | 09 Nëntor 2022

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka konfirmuar se nuk do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç kishte planifikuar.

Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook i ka konfirmuar raportimet e mediave, të cilat paradite i quajti shpifje këshilltari i saj.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA. Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyjmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, ka shkruar ajo, përcjell Demokracia.com.

Haxhiu ka thënë se nuk i është refuzuar viza dhe se do të udhëtojë në një moment tjetër më të përshtatshëm.

“Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta. Vizita do të realizohet dhe për shkak të interesimit, datat do t’ua kumtojmë me kohë”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, para se Haxhiu të njoftonte për anulimin e vizitës në SHBA, ambasadori Jeffrey Hovenier, duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me vizën për ministren Haxhiu, ka thënë se nuk e sheh të vështirë që një ministër të marrë vizë amerikane, por tani për tani për shkak të krizës pas ngjarjeve në veri, nuk është koha më e duhur që ministrat të udhëtojnë për në SHBA për takime zyrtare. /Demokracia.com/

Të ngjashme