Lajme
Pas Policisë, Albin Kurti del edhe kundër FSK-së | Qindra pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës nga të gjitha rangjet, padisin Qeverinë
Demokracia
14:25 | 02 Shkurt 2024

Share:

Qindra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga të gjitha rangjet, kanë dorëzuar padi individuale kundër Qeverisë së Kosovës.

Sipas padive që ka siguruar Albanian Post, ushtarët e FSK-së po e padisin qeverinë pasi kundërligjshëm ua ka ndaluar shtesat në paga dhe kompensimet tjera.

Këto të drejta atyre u takonin me Rregulloren “Për Pagat, Shtesat mbi Pagë dhe Kompensimet e Tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për ngritjen e pagave në FSK”, e nxjerr nga Qeveria e Kosovës me 22 janar 2020, me numër “02/2020”.

Por ajo rregullore nuk u zbatua asnjëherë dhe pjesëtarët e FSK-së nuk kanë marrë deri më tani diferencën në pagë që u ka takuar sipas saj, por as pagat jubilare.

Në anën tjetër, Qeveria aktuale me datën 28 korrik 2021 kishte nxjerr një vendim me shifrën “10/21”, me të cilin pezullonte rregulloren “02/2020”.

Tani pjesëtarët e FSK-së kanë filluar të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre që u takojnë përmes rrugëve ligjore e gjyqësore, duke paditur Qeverinë e Republikës së Kosovës për ato të drejta që u takojnë të realizojnë për diferencën në page dhe paga jubilare.

AP ka siguruar disa padi nga qindra të ngjashme.

Për shkak të frikës se mund të ketë pasoja dhe hakmarrje për ta, është vendosur që t’i fshihen të dhënat bazike.

Sipas njërës nga paditë, paditësi është “specialist, me 11 vjet përvojë pune të evidentuar”.

Ai paditë Qeverinë e Kosovës pasi “e paditura që nga koha e hyrjes në fuqi të rregullores nuk ka bërë rritjen e pagës në ngritje profesionale dhe shpërblim jubilar”.

Siç saktëson padia, “paditësi padinë e mbështet në bazë ligjore të ligjit për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të cilin është përcaktuar se të drejtën e pagës, shtesat mbi pagën dhe llojet e tjera të kompensimit e kanë të gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe se pagat, shtesat mbi pagën dhe kompensimet tjera, përcaktohen dhe paguhen në përputhje me dispozitat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi, me akt të veçantë nënligjor të nxjerrë nga Qeveria”.

Avokati Naim Rudari, që tashmë ka dhjetëra ushtarë të FSK-së si klientë për këtë rast, ka tregtuar për Albanian Post se “kam kontakte çdo ditë dhe secili pjesëtarë i FSK-së është i interesuar të parashtrojë padi”.

“Në proces e sipër vetëm ne i kemi rreth 40, por çdo ditë kontaktohemi për raste të reja”, ka thënë Rudari për Albanian Post.

“Besoj që të gjithë do të bëjnë padi”, shtoi.

Madje, disa që kanë bërë padi më herët, tashmë veç u është pranuar padia dhe ka aktgjykim të gjykatës nga shkalla e parë.

Rudari shtoi se në zyrën e tij të avokatisë “kemi sa e sa ditë që kontaktohemi pandërprerë”.

Nëse ushtarët e FSK-së fitojnë rastet në gjykatë, ashtu siç pritet, Qeveria e Kosovës do të obligohet t’i paguajë diferencat e shumave dhe shpërblimet jubilare për aq vite sa kanë përvojë pune paditësit.

Në rastin e padisë që ka siguruar Albanian Post, bëhet fjalë për “10 vjet të përvojës së punës, shumën e përgjithshme, të gjitha këto me kamatë ligjore nga data e parashtrimit të padisë, deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore” dhe shpenzime të tjera.

Albanian Post prej kohësh ka raportuar për pakënaqësitë e mëdha në FSK, që kanë sjellur edhe të largimi i një numri të madh pjesëtarësh nga radhët e ushtrisë.

Vetëm në vitin 2022, për shkak të “nepotizmi e pagave të vogla” ishin larguar 127 ushtarë, që për një ushtri të vogël si kjo e Kosovës, ishte konsideruar një numër alarmant.

Të ngjashme