Lajme
Pas pakënaqësive të Kurtit, Stano për Demokracia.com tregon nëse Lajçak do të largohet nga ndërmjetësimi në dialog
Demokracia
15:59 | 20 Shtator 2023

Share:

Dy ditë më parë, kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media u shfaq tepër i pakënaqur me rolin e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti madje e akuzoi Lajçakun se është pozicionuar në anën e Serbisë dhe se para takimit të 14 shtatorit në Bruksel ishte koordinuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan Demokracia.com.

I pyetur nëse do ta kërkojë zëvendësimin e Lajçakut në procesin e dialogut, Kurti tha se zyrtari i lartë evropian nuk i jep llogari atij, por ai duhet t’i japë llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

“Unë besoj që ajo çfarë kemi thënë këto ditët e fundit, në veçanti sot, është më se e mjaftueshme që të ketë llogaridhënie të atij, atje [në institucionet evropiane]”, deklaroi Kurti.

E lidhur me këto pretendime të Kurtit, nga Bashkimi Evropian kanë folur për Demokracia.com.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është pyetur nëse BE do të marrë ndonjë masë ndaj emisarit Lajçak, pas shfaqjes së pakënaqësive nga ana e kryeministrit Kurti, por ai i ka cilësuar pretendimet e Kurtit si deklarata dhe pretendime të pabaza.

“Ne nuk komentojmë deklarata dhe pretendime të pabaza”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim për Demokracia.com.

Stano ka thënë se shtetet anëtare të BE-së, 27 prej tyre, e kanë bërë në mënyrë të përsëritur shumë të qartë se mbështesin plotësisht Josef Borrell dhe emisarin Lajçak, në përpjekjet e tyre për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre.

Ai ka thënë se BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë janë të angazhuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe e kanë bërë shumë të qartë se ku e shohin problemin kryesor për mungesën e progresit në dialog. Sipas tij, Lajçak nuk është problemi.

“27 Shtetet Anëtare të BE-së shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre. Ato u bënë thirrje palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. Shtetet Anëtare gjithashtu theksuan vazhdimisht se puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, tha Stano.

Kryeministri Kurti akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë se është pozicionuar kundër Kosovës. Ai tha se në raundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me Lajçakun për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socioekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

Rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.

Kurti tha se në Bruksel propozoi një plan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu, palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Kurti tha se plani i propozuar nga ai, që sipas tij u refuzua nga Serbia dhe BE-ja, për zbatimin e Marrëveshjes Bazike ishte “propozim konkret, shumë konstruktiv, që bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes”. Ai tha se gjithëpërfshirja është edhe në këtë marrëveshje dhe në aneks, ku thuhet se “çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe palët nuk duhet të shprehin pengesa për asnjë nen”. /Demokracia.com/

Të ngjashme