Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se njohja e patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania është lehtësim i jetës dhe veprimtarive të kosovarëve që jetojnë atje
Sveçla ka shkruar se kjo vjen si rezultat i angazhimit të madh të ekipeve si dhe kërkesave të shpeshta të kosovarëve që jetojnë në Gjermani.
Ai tutje ka deklaruar se ka marrë aprovimin nga Qeveria e Kosovës për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë dhe Kanadanë si dhe është në proces me Italinë dhe Austrinë.
“Marrëveshja sipas legjislacionit në Republikën Federale të Gjermanisë ka marrë aprovimin e të gjitha landeve dhe patent shoferët do të njihen në tërë Gjermaninë. Të dashur qytetarë që jetoni kudo në diasporë, Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë suaj është përgjegjësi e jona në bashkëpunim me shtetet aleate ku ju jetoni. Në të gjitha takimet me homologët e mi kam ngritur këtë dhe çështje të tjera për ju. Këtë javë ne kemi marrë aprovimin e Qeverisë sonë për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë e Kanadanë dhe jemi në proces me Italinë e Austrinë dhe natyrisht do të njoftoheni me të gjitha proceset që do të nisim apo finalizojmë”, ka shkruar Sveçla.
Gjermania ka vendosur sot që t’i njohë patentë-shoferët nga Kosova. Ky propozim ka marrë miratimin e të 16 landeve gjermane.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se Kosovës s’i mungoi asnjë votë.
“Kënaqësi e veçantë të takoja pjesën më të madhe të Ministrave të Transportit të 16 landeve gjermane në prag të votimit të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës. Edhe me i lumtur, kur nga 69 votat e përgjithshme të Bundesratit, Republikës tonë nuk i mungon asnjë votë. Kjo flet shumë për miqësinë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për fuqizimin dhe ngritjen e cilësisë së standardizimit të patentë shoferëve të Kosovës me normat evropiane. Faleminderit Gjermani”, ka shkruar Ajeti./GazetaExpress/