Lajme
Pas nipit në QKMF, Kryetarit të Shtimes i punësohet edhe dhëndri në Kompaninë e Ujësjellësit
Demokracia
17:32 | 21 Shkurt 2024

Share:

Pas punësimit të nipit në Qendrën e Mjekësisë Familjare, kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliut, i është punësuar edhe dhëndri në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” në Shtime.

Se Bujar Beqa, burri i N. Beqës, motrës së kryetarit të komunës, është punësuar në këtë kompani e ka konfirmuar për Albanian Post edhe Ali Ademaj nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, në Shtime.

Ai ka deklaruar se Bujar Beqa është i punësuar përkohësisht, me mundësi zgjatje të kontratës.

“Bujar Beqa ka qenë i punësuar në Prishtinë, ka hy në punë atje e tash në Shtime përkohësisht ka ardhur. Domethënë e ka një herë një kontratë… veç si ndihmë kështu ka ardhur, përforcim, përndryshe është i Shtimës”, ka thënë Ademaj.

“Prej Prishtinës është transferuar përkohësisht një herë ta këqyrim tash se varet kontratën qysh e ka”.

Ademaj ka theksuar se Beqa fillimisht e ka një kontratë gjashtë mujore.

“Kontratën e ka për 6 muaj, një kontratë 6 mujore e kanë në fillim kur pranohen në punë mandej nëse tregon rezultate vazhdohet, nëse s’tregon i shkëputet kontrata”, shtoi tutje Ademaj.

Dhëndri i kryetarit të Shtimes – që ndryshe njihet edhe si “çlirimtari”, meqë kur pati fituar deklaroi se ka ardhur ta çlirojë Shtimen nga korrupsioni e krimi – ka filluar punën para dy javëve.

Përgjegjësi Ademaj është ngutur të thotë se vetë kryetari Aliu nuk ka ndikuar në punësimin e dhëndrit, derisa Bujar Beqën e lëvdoi si punëtor të mirë.

Albanian Post ka provuar qysh nga e hëna të marrë një përgjigje nga vetë Aliu për situatën.

I kontaktuar fillimisht para tri ditësh, kryetari i Shtimes tha se për gjëra pune s’flet në ditë pushimi, e të hënën ishte pushim për shkak të 16 vjetorit të pavarësisë.

“Jam me fëmijë, e kemi pushim sot. Në qoftë se keni diçka mundeni të më shkruani në email zyrtar. E kemi pushim është ditë familjare, kështu që çka me të thënë…”, është shprehur Aliu.

Nga ajo ditë pushimi Aliu s’u përgjigj më deri të enjten, por vetëm për të gjetur një arsyetim tjetër.

“Ndjesë, por jemi në takim me kryeministrin”, shkroi Aliu në insistimin e AP-së për të pasur një koment të tij.

Pas insistimeve të redaksisë, në fund ka kthyer një e-mail Komuna e Shtimes.

Ata janë befasuar me adresimin e pyetjes, meqë thonë se “po flasim për dy organizata të pavarura dhe komplet të ndryshme nga njëra-tjetra, siç janë Komuna e Shtimes dhe KRU Prishtina”.

Nga komuna thonë se s’kanë dorë në punësimin e dhëndrit të kryetarit.

“Nuk kemi asnjë ndikim të vetëm në këtë kompani publike, e cila ka pavarësi të plotë të punës si dhe fushëveprimtaria e saj në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me Komunën e Shtimes”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Përndryshe, opozita në Shtime ankohet se punësimet familjare në këtë komunë janë bërë normë.

Edhe Rrahman Jakupi, anëtar i Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kryetar i PDK-së në Shtime ka treguar se ata i kanë ngritur shqetësimet lidhur me nepotizmin në këtë komunë qysh moti.

“Shqetësimet lidhur me nepotizmin, në Komunën e Shtimes, ku është i përfshirë kryetari dhe drejtorët e tij, ne i kemi ngritur që nga fillimi i marrjes së mandatit të tij, për shkak se e kemi vërejtur një gjë të tillë se Kryetari i Komunës, subjekti Vetëvendosjes në koalicion me LDK-AKR, kanë punësuar familjarë të tyre radhazi për dy vjet rresht dhe aktivistë të VV-së”- theksoi ai.

Sipas tij, profesionistët në Shtime nënvlerësohen ngase familjarëve e aktivistëve iu ofrohet mundësia.

“Pra nuk kemi një meritokraci të cilën e kanë përmendur në vazhdimësi gjatë fushatës zgjedhore. Aktualisht në Shtime profesionistët dhe personat e kualifikuar janë të nënçmuar dhe kryetari dhe pushteti i VV në vend të punësimit të profesionistëve punësojnë familjarë dhe aktivist të tyre”- ka thënë Jakupi.

Të ngjashme