Lajme
Pas Mitrovicës edhe në komunën e Vitisë hasen përfitime të paligjshme nga zbritja në tatim për prona
Demokracia
12:16 | 01 Qershor 2022

Share:

Qytetarët në Kosovë kanë të drejtë, sipas ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, që të përfitojnë nga zbritja për vendbanimin parësor, nëse personi në fjalë posedon dy ose më shumë objekte banuese.

Zbritja në këto raste mund të arrijë deri në shumën e 15 mijë eurove, nga vlera e vlerësuar e njësisë së objektit, përcjell Buletini Ekonomik.

Në komunën e Vitisë, gjatë vitit 2021, janë identifikuar së paku nëntë (9) raste të tatimpaguesve, të cilët kanë pasur të evidentuar si vendbanim të tyre parësor dy e më shumë objekte banimi.

Sipas kësaj gjetjeje nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), të njëjtit kishin përfituar zbritje për tatim në pronë për secilin vendbanim të deklaruar si parësor.

Auditori madje këtë shkelje e konsideron si përfitim të paligjshëm të tatimpaguesve për Zbritje për Vendbanim Parësor.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-005 Për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Neni 11, Zbritja për Vendbanimin Parësor, midis tjerash përcakton se “personi fizik i cili ka në pronësi apo posedim dy (2) ose më shumë njësi rezidenciale të objekteve, mundet vetëm njërën prej këtyre objekteve ta deklarojë si vendbanim të tij parësor, me ç’rast i lejohet zbritja prej pesëmbëdhjetë mijë eurove (15,000€) nga vlera e vlerësuar e gjithë njësisë së objektit”.

Në bazë të raportit të auditimit nga ZKA për komunën e Vitisë, situata në këtë komunë është edhe më serioze, pasi më shumë se 1,000 tatimpagues të prezantuar në Bazën e të dhënave për tatim, nuk i kanë të prezantuar numrat personal, e të cilët potencialisht mund të jenë përfitues të disahershëm nga zbritja e lejuar ligjore.

E gjithë kjo, siç thekson Auditori, ka ndodhur si rezultat i pakujdesisë së zyrtarëve dhe mangësive të sistemit, që lejon përfitimin e disahershëm të tatimpaguesve dhe të futjes së tyre në sistem pa numër identifikues.

Megjithatë, zbatimi i zbritjeve të lejuara për tatimpaguesit pa numër personal dhe pa u deklaruar se vendbanimi i tatimpaguesit shërben si vendbanim parësor, mund të rezultojë me përllogaritje të pasakta të zbritjeve për tatimin në pronë dhe rrjedhimisht në më pak të hyra për buxhetin komunal, në këtë rast të komunës së Vitisë.

ZKA i rekomandon kryetarit të komunës dhe vartësve të tij, që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për identifikimin e të gjithë përfituesve të disahershëm të zbritjes së vendbanimit parësor, t’i korrigjojnë të dhënat në sistem dhe t’i ndërmarrin të gjitha masat ligjore, për eliminimin e këtij problemi.

Buletini Ekonomik ka raportuar gjatë javës së kaluar për një rast të tillë edhe në komunën e Mitrovicës, më ç’rast një tatimpagues kishte regjistruar si vendbanime parësore gjithsej 24 objekte banimi. Si rrjedhojë, ai kishte përfituar nga zbritja për tatimin në pronë për të 24-tat objekte, pasi i kishte regjistruar që të gjitha si vendbanime parësore.

Zyra Kombëtare e Audititmit (ZKA) në raportin e saj auditues për Mitrovicën e Jugut, ka konstatuar se kjo gjetje është bërë përmes numrit personal të tatimpaguesit.

Auditori i Përgjithshëm thekson se në këtë komunë, situata është edhe më tej serioze, pasi më shumë se 4,000 tatimpagues të prezantuar në Bazën e të dhënave, nuk i kanë të prezantuar numrat personal, të cilët në bazë të emrave, mbiemrave dhe emrit të prindit, mund të jenë përfitues të disahershëm nga zbritja e lejuar ligjore.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur si pasojë e mos verifikimit të pronave në fjalë dhe mos azhurnimit të shënimeve në sistemin e tatimit në pronë. /Buletini Ekonomik/

Të ngjashme