Lajme
Pas “mërdhezjes” së Sveçlës për arrestimin e Vuçiqit, shteti publikon kontratën për blerje të ilaçeve nga Serbia
Demokracia
18:41 | 01 Korrik 2024

Share:

Në një kohë kur Kosova dhe Serbia ende po përpiqen t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes bisedimeve në Bruksel, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur t’i dërgojë paratë e shtetit atje për blerjen e disa ilaçeve. Ky veprim mund të shihet si aspak i pëlqyeshëm, duke pasur parasysh historinë e agresionit serb mbi Kosovën dhe raportet aktuale armiqësore, shkruan Demokracia.com.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”. Kështu shkroi jo më larg se dje, ministri Xhelal Sveçla për t’i ndezur turmat në rrjetin social me qindra ‘like’ e komente në përkrahje të tij. Por, vetëm një ditë më pas, ministria që e udhëheq bashkëpartiaku i tij, Arben Vitia, ka publikuar disa kontrata për furnizim me ilaçe me operatorët privatë. Në mesin e kontratave, një kontraktor ka ofertuar edhe me një ilaç që do të blihet nga Serbia, i cili më pas do t’ia shes Ministrisë së Shëndetësisë.

Tashmë, MSH-ja dhe kompania “Exlusive Corporation” kanë lidhur kontratë për lot 8 për tenderin “Furnizim me barna nga lista esenciale”. Kjo kompani do të ofrojë për ministrinë ilaçin Tramadol, i cili është një ilaç opioid që përdoret për të trajtuar dhimbjen e moderuar deri në të rëndë.

Bazuar në kontratën që e ka parë Demokracia.com, ky ilaç do të blihet nga Serbia.

Bëhet fjalë për Tramadol – doza 50 mg / ml i formës injeksion. Sasia e planifikuar që do të blihet për 24 muaj është 143520 copë. Totali në euro për 24 muaj do të jetë 15,500.16 euro, përfshirë edhe normën e TVSH-së prej 8 për qind. Pra, një kësi injeksioni do t’i kushtojë ministrisë gjithsej 10 centë.

Tramadol mund të merret në forma të ndryshme, përfshirë tableta, kapsula ose injeksione, por siç shihet kërkesa është për injeksion.

Ky ilaç është për trajtimin e dhimbjeve akute: Si p.sh., dhimbje pas operacionit ose dëmtime akute, dhimbja kronike: Për gjendje të tilla si artriti, dhimbje të shpinës, fibromialgjia ose sëmundje të tjera kronike që shkaktojnë dhimbje të vazhdueshme. Po ashtu për dhimbje neuropatike: Dhimbje që vjen nga dëmtimi i nervave, si p.sh., në neuropatinë diabetike.

Ndërkohë, kontratat e tjera që janë lidhur për furnizim me ilaçe, produktet do të blihen kryesisht nga Turqia, nga Çipro, India, Egjipti, Greqia, Kosova, Shqipëria, etj. /Demokracia.com/

Të ngjashme