Lajme
Pas mbylljes së Terminalit Doganor në Merdare, reagon Tahiri: Goditje e madhe për Podujevën
Demokracia
20:05 | 16 Qershor 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas mbylljes së Terminalit Doganor nga Merdare.

Ai ka thënë se zhvendosja e terminalit doganor nga Merdari është goditje e madhe për një zonë e qytet si Podujeva, që është porta kryesore që e lidhë Kosovën me Evropën.

“Për më keq, ky vendim në tërësi eliminon projeksionet për Zonën Ekonomike dhe planin për ngritje ekonomike dhe punësim në Llap. Kjo është goditja e rradhës, nga një qeveri jo kompetente që e pengon zhvillimin. Ndërsa goditja e dyta, pas Orllanit, që tashmë është bllokuar si potenciali kryesor për zhvillim e turizëm në Llap e Gollak. Si deputet, u bëjë thirrje gjithë kolegëve dhe Qeverisë që t’i ndalë bllokadat e t’i hapë rrugë zhvillimit. Në qoftë se vendimi është i përkohshëm dilni e tregoni, mos u fshehni!”, ka shkruar Tahiri.

Demokracia.com ka raportuar sot se terminali që ka operuar deri më tani në Merdare, nuk do të jetë më funksional. Dogana e Kosovës me një njoftim befasues ka treguar se kësaj pike do t’i vendoset dryni pas dy ditësh. Demokracia.com ka siguruar njoftimin që i ka shkuar operatorëve për këtë çështje.

Shërbimet që i kanë kryer qytetarët e Kosovës në terminalin në Merdare, tash e tutje nuk do të mund t’i kryejnë më.

Dogana e Kosovës ka vendosur që ta mbyll këtë pikë dhe vendimi për këtë hyn në fuqi pas dy ditësh.

Demokracia.com ka siguruar dokumentin që e dëshmon këtë vendim të Doganës së Kosovës.

“Siç jeni në dijeni se për shkak se kushtet që kanë mundësuar vendosjen e zyrës doganore në terminalin e operuar “Diana” në Merdare pushojnë nga data 18.06.2022, Dogana e Kosovës detyrohet të pushoj veprimtarinë si zyre në këto hapësira dhe me këtë tërheq stafin dhe ndal operimin zyrtar”, thuhet në një shkresë të Doganës së Kosovës, përcjell Demokracia.com.

DOKUMENT| Dogana e mbyll terminalin në kufi me Serbinë, qindra punëtorë mbesin pa punë

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024