Lajme
Pas marrëveshjeve të Brukselit, Albin Kurti u krenua edhe me një projekt që Thaçi e përuroi në 2012-ën
Demokracia
21:24 | 01 Shtator 2022

Share:

Kanë kaluar dhjetë vjet që kur kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Sali Berisha, promovuan në Prizren, në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, Abetaren e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Abetarja e përbashkët u përurua nga krerët e dy shteteve shqiptare si simbolikë edhe e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Por, sot dhjetë vjet më pas, një Abetare të përbashkët veçse me emër Abetarja e Përbashkët Unike e përuruan edhe kryeministri Albin Kurti bashkë me ministret e Arsimit të Shqipërisë e Kosovës, Evis Kushi e Arbërie Nagavci, shkruan Demokracia.com.

Albin Kurti prej ardhjes në pushtet po kritikohet se nuk po punon asgjë të re, veçse po i zbaton e po i përtërinë marrëveshjet e punët e Hashim Thaçit dhe qeverive paraprake, të cilat s’lëshonte rast pa i kritikuar për ‘keqqeverisjen 20-vjeçare”.

Kur u përurua Abetarja më 2012, u tha se është një projekt historik, që paraqet sakrificën dhe rezultatin e qindra atdhetarëve dhe intelektualëve të sakrifikuar për udhën e diturisë që nga koha e Skënderbeut e deri tash.

Promovimi i Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, u cilësua nga kryeministri i atëhershëm kosovar, Hashim Thaçi, si një ngjarje historike për të gjithë shqiptarët. Ndërkohë, kreu i qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha, kishte pohuar se kjo ishte dhurata më e bukur që i bëhej kombit tonë në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk kishte nguruar t’i bënte thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptarofobia dhe veprimet primitive.

Teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë kishte autor Shezai Rrokajn, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova, Islam Krasniqi e Saranda Kumonova-Pozhegu.

Përzgjedhja e tekstit të Abetares ishte bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësues të dy palëve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese ishin shpallur Shtëpia Botuese “Pegi” dhe shoqëria “Dukagjini”. Unifikimi i teksteve shkollore ishte një nismë mes dy ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme