Lajme
Pas marrëveshjes së fshehtë me Serbinë për barrikadat, Kurti ndau 57 milionë euro për faturat e rrymës së serbëve në veri
Demokracia
21:46 | 30 Dhjetor 2022

Share:

Kryeministri i vendit Albin Kurti në korrik të këtij viti deklaronte se nuk do të subvenciononte energjinë elektrike për serbët në veri të vendit. Mirëpo, krejtësisht të kundërtën e ka bërë sot gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Zyra e Kryeministrit në njoftimit e dërguar sot mediave ka njoftuar se në mbledhjen e Qeverisë është marrë vendim për pagesë në vlerë prej shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë milionë euro, për detyrimet që ndërlidhen me shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Në mbledhjen e mbajtur online qeveria ka njoftuar se këto mjete janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, mjete të cilat merren nga kursimet buxhetore.

“…Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe 17,500,000.00 € (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro) janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike. Mjetet sipas këtij Vendimi merren nga kursimet buxhetore”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Kurse, në korrik të këtij viti pati deklaruar se Qeveria nuk do t’i paguajë rrymën qytetarëve serb në veri të Kosovës.

“Nuk mund të pritet qe Qeveria e Republikës së Kosovës të bëjë subvencionimin për energjinë e konsumuar në veri e të papaguar atje”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanollli, pati thënë se shuma prej 40 milionë euro do të përmbush obligimet e KOSTT-it deri në nëntor të vitit 2022, e më pas pagesa e rrymës të bëhej nga vetë qytetarët siç parashihej me udhërrëfyesin për energjinë.

“Kyçja e KOSTT-it në ENTSO është në pyetje. Është në fund të marrëveshjes dhe duhet ripërtërirë. Gjatë vitit kemi shkaktuar disbalance të mëdha nga sistemi interkonektiv. Si Ministri e Ekonomisë kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave, ku është propozuar ndarja e 40 milionë eurove për shlyerje të detyrimeve dhe janë ndarë ato”, ka thënë Rizvanolli në pyetjen e gazetarëve se a janë ndarë për veriun këto para.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor kanë arritur një dakordim për zbatimin për marrëveshjen e energjisë të vitit 2013.

Ky dakordim parashihte një kalendar 100 ditor, deri tek faturimi i konsumatorëve në veri. Por edhe pas kanë kaluar 175 ditë, faturimi nuk ka filluar, sepse nuk janë zbatuar shumë nga pikat e këtij udhërrëfyesi.

Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës.

Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind. Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.

 

Të ngjashme