Lajme
Pas Luginës, Kurti i fut “thikat” e përçarjes së shqiptarëve edhe në Maqedoninë e Veriut
Demokracia
17:47 | 09 Gusht 2023

Share:

Albin Kurti dhe Edi Rama sërish kundër njëri-tjetrit. Ata duket se kanë qëllime shumë të ndryshme nga njëri-tjetri dhe mosmarrëveshjet mes tyre po i shtrijnë edhe në ‘terrenin neutral’. Kryeministri i Kosovës do të shkojë të premten në Maqedoninë e Veriut në një vizitë goxha selektive. Ministri i Punëve të Jashtme atje, Bujar Osmani tha se “me shumë gjasë ai nuk është duke ardhur si kryeministër”.

Albin Kurti dhe Edi Rama nuk takohen më si miq të mirë dhe në dy herët e fundit, kryeministri i Kosovës ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Shqipërisë. Fillimisht nuk e ka pritur në Prishtinë dhe më pas nuk i ka shkuar në një takim me liderët e rajonit në Tiranë.

Marrëdhëniet e Kurtit me Ramën janë ftohur aq shumë sa mosmarrëveshjet mes tyre reflektohen edhe në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kurti do të shkojë të premten në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do ta takojë kryetarin e partisë më të madhe të shqiptarëve atje, Ali Ahmetin, me të cilin për shumë çështje nuk ndajnë mendime të njëjta. Por do ta takojë kryetarin e Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiun dhe kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, të dy përfaqësues të partive opozitare shqiptare: Lëvizjes Demokratike – fraksionit të dalë nga BDI-ja – dhe Lëvizjes Besa. Me këtë të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar që herët një lloj afërsie.

Nga kabineti i kryeministrit Kurti nuk i janë përgjigjur konkretisht interesimit të Radios Evropa e Lirë se pse ai kësaj radhe nuk do të takohet me Ahmetin.

“Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ai thjesht ka përmendur se Kurti dhe Ahmeti janë takuar “në kuadër të Forumit të Prespës në Strugë” dhe se “komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”.

Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut që vjen nga BDI-ja, tha se s’janë informuar zyrtarisht për vizitën e Kurtit, duke pandehur se ai s’do të shkojë në vendin fqinj si kryeministër.

“Ne nuk kemi informacione zyrtare për ardhjen e Kurtit. Kështu, me shumë gjasë ai nuk është duke ardhur si kryeministër. Po shohim nëpër rrjetet sociale, vetëm komunikim partiak, kështu që, me të vërtetë nuk e kam idenë se për çfarë vizite bëhet fjalë”, tha Osmani të hënën në telvizionin Sitel.

I pyetur nëse i frikësohet forcimit të opozitës, Osmani tha se kanë bërë thirrje vazhdimisht për bashkim të opozitës shqiptare.

“Sepse mendoj që nuk është mirë që të fragmentizohet skena politike. Sepse ka një tendencë te shqiptarët, paska e stisur, që çdo qytet të ketë një parti politike, të cilat përplasen me njëra-tjetrën për çështjet lokale dhe kurrë nuk arrijnë që t’i rrisin kapacitetet e tyre deri në nivel të mirëfilltë të partisë politike, e cila mund t’i paraqesë dhe t’i mbrojë interesat e veta”, tha ai.

Osmani theksoi se BDI-ja është kundër kësaj dhe se kjo parti “për 20 vjet po i përfaqëson shqiptarët nga Kumanova deri në Strugë”.

Deklarata e kryediplomatit shqiptar të Maqedonisë së Veriut nuk do t’i pëlqejë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Por Bujar Osmani i pëlqen shumë Edi Ramës. Kryeministri shqiptar pati thënë para një viti se do ta donte atë në Qeverinë e tij.

“…Në qendër të procesit ka qenë një person që do isha shumë i lumtur sikur të kishim mundësi ta kishim në dispozicion në Qeverinë Shqipërisë, Bujar Osmanin. Super. Suuuper”, shprehej Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka marrëdhënie të mira me BDI-në në Qeveri, sidomos me kryetarin e kësaj partie, Ali Ahmetin që e konsideronte “pionier të Ballkanit të Hapur” dhe të cilin gjen rastin ta citojë jo rrallë herë. Ahmeti, ndërkaq, e quan Ramën “mik të madh”. Rama ka marrëdhënie shumë të mira edhe me zëvendëskryeministrin Artan Grubi, për të cilin thoshte se “është shqiptari më i mirë mes maqedonasve”.

Rama i pati ftuar në një takim liderët e partive kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut para se Aleanca për Shqiptarët të bindej që të futej në Qeveri.

Në anën tjetër, kryetarët e partive shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e shkëputur së fundmi nga BDI-ja, i kanë intensifikuar takimet. Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut shihet edhe si përpjekje për bashkimin e partive shqiptare në shtetin fqinj.

Izet Mexhiti, inicuesi i partisë së re, Lëvizja Demokratike, tha se vizita e Kurtit atje është në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje. Ai tha se do të flasin për tema politike si Procesi i Berlinit.

“Do të bisedohet edhe për tema politike, ku do të ketë një ndarje mes atyre që janë me Ballkanin e Hapur dhe atyre, përkatësisht neve, si edhe Kurtin që jemi për Procesin e Berlinit. Normalisht se do të bisedojmë dhe për tema që thellojnë bashkëpunimin ndërmjet frontit opozitar shqiptar në Maqedoni (të Veriut) me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë”, tha Mexhiti për Radion Evropa e Lirë.

Bilall Kasami, me të cilin do të takohet Kurti, e ka kritikuar gjithashtu nismën e Ballkanit të Hapur.

Maqedonia e Veriut është para një procesi ku do t’i duhet të lëvizë në përpjekje për t’i shpëtuar bllokimit të procesit të integrimit të vendit në BE. Parakusht në këtë rrugë është çështja e ndryshimit të Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulë, për të cilën pushteti s’ka mjaftueshëm vota. Opozita thotë se pushteti s’ka legjitimitet dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

 

Të ngjashme