Lajme
Pas Kurtit e Zelenskyt, edhe NATO i frikësohet konflikteve në Kosovë e rajon
Demokracia
22:08 | 20 Nëntor 2023

Share:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pasditen e së hënës, ka thënë se janë duke rishikuar që të këtë një rritje të përhershme të trupave të NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë për ta ruajtur sigurinë në këtë rajon. Njoftimi i Stoltenberg-ut vjen një ditë pas paralajmërimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riorganizim të struktuarave paramilitare me krye me Milan Radoijçiqin, por edhe pas paralajmërimeve tjera se Rusia po synon të nxisë konfilikt në Ballkanin Perëndimor. 

Çfarë u paralajmërua?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se janë duke bërë një rishikim të rritjes së pranisë ushtarake të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg ka thënë se prania e trupave të KFOR-it është rritur pas sulmit në Bansjkë dhe se janë duke rishikuar që të këtë një rritje të përhershme të trupave të NATO-s në Kosovë, për t’u siguruar se situata nuk del jashtë kontrollit.

Ai ka shtuar se një gjë e tillë do të pengonte konflikte të reja në Kosovë apo në rajon.

Sapo arrita nga Sarajeva, ku kisha një takim të rëndësishëm dje dhe sot dhe tani jemi duke bërë një rishikim rreth pranisë tonë ushtarake në Ballkanin Perëndimor, që përfshin edhe Bosnje e Hercegovinën por edhe Kosovën. Kemi përdorur forcat tona rezervë për ta rritur praninë tonë menjëherë pas dhunës në shtator dhe tani po e rishikojmë nëse duhet të kemi një rritje të përhershme për t’u siguruar se kjo situatë nuk del jashtë kontrollit dhe nuk krijon konflikte të tjera të dhunshme në Kosovë ose më gjerë. Pra, do të bëjmë ata që është e nevojshme, aktualisht jemi duke rishikuar praninë tonë dhe ndryshimet e nevojshme dhe i kemi zbatuar rritjen e nevojshme të NATO-s”, deklaroi shefi i NATO-s, shkruan Nacionale.

Kurti

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje në një postim në Facebook, ka paralajmëruar për një “riorganizim” të ri të në Rashkë të Serbisë, ngjashëm me lëvizjet paraprake që çuan në sulmin paramilitar e terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ai ka thënë se kjo po bëhet me “me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.”

“Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Zelensky

Për rrezikun e konflikteve të reja në Ballkan, ditë më parë foli edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Zelensky për një medie afrikane, ka thënë se Rusia është duke e trazuar situatën në Ballkan “në mënyrë që një shtet të luftojë kundër një tjetri”.

“Por jepini vëmendje Ballkanit. Më besoni, po marrim informata. Rusia ka një plan të gjatë. Lindjen e Mesme. Shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani. Të paktën, nëse vendet e botës, partnerët, nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një tjetër “shpërthim” të tillë dhe prapë, s’është tregim i ri. Është një krizë në marrëdhëniet e tyre dhe ka qenë për kohë të gjatë. Për këtë arsye, Rusia do të investojë për t’u siguruar që një shtet në Ballkan të jetë në luftë me një tjetër”- tha më tej presidenti Zelensky.

Macron

konfliktin në Kosovë e ka përmendur edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, teksa foli për Ballkanin Perëndimor javën e kaluar.

Por ndryshe nga të tjerët, presidenti francez, tha se mendon se nuk do të ketë një konflikt të ri në Kosovë.

“Tensionet janë qetësuar paksa tani. Shpresoj që drejtuesit të ndryshojnë e të do të marrin udhërrëfyesin që është vendosur. Jam i shqetësuar, por nuk kam frikë nga rifillimi i konfliktit në Kosovë”, tha ai.

Të ngjashme