OpEd
Pas gjashtë muajve të luftës së përgjakshme dhe të tmerrshme, çfarë saktësisht kërkon Putini nga Ukraina?
Demokracia
14:48 | 23 Gusht 2022

Share:

Nga: Philip Short / Autor i biografive të besueshme – përfshirë “Putin: His Life and Times” dhe “Mao: A Life and Pol Pot: History of a Nightmare” – pas një karriere të gjatë si korrespondent i BBC-së në Moskë, në Uashington dhe në disa kryeqytete tjera të botës / The Guardian

Gati gjashtë muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, në Perëndim ende ka mosmarrëveshje të mëdha për motivet e Vladimir Putinit.

Kjo çështje shkon përtej interesimit për një studim akademik. Nëse nuk pajtohemi se pse Putini vendosi të pushtojë Ukrainën dhe se çfarë dëshiron të arrijë, atëherë nuk mund ta dimë se çfarë do të paraqesë fitorja ose humbja për secilën nga palët ndërluftuese, si dhe cilat janë konturat e një përfundimi të mundshëm.

Në një moment – si të gjitha luftërat tjera – konflikti aktual do të përfundojë. Gjeografia i dënon Ukrainën dhe Rusinë që të jetojnë pranë njëra-tjetrës, dhe kjo nuk do të ndryshojë. Ato përfundimisht do të duhet ta gjejnë një modus vivendi. Kjo vlen edhe për Evropën, edhe për Rusinë, megjithëse mund të duhen dekada të tëra që ky dëm të riparohet.

Pse atëherë Putini investoi kaq shumë në një sipërmarrje me rrezik të lartë që, në rastin më të mirë, do t’i sjellë atij kontroll të ligshtë në një tokë të shkatërruar?

Në fillim u tha se është i cokatur – “i çmendur”, sipas fjalëve të sekretarit të mbrojtjes, Ben Wallace. Putini u shfaq duke ligjëruar para shefave të tij të mbrojtjes, i strukur në anën tjetër të një tavoline gjashtë metra të gjatë. Por, jo shumë kohë më pas, të njëjtët zyrtarë u shfaqën ulur përkrah tij. Tavolina e gjatë doli të ishte teatrale – versioni i Putinit për teorinë e “të çmendurit” të Nixonit, për ta bërë atë që të duket aq irracional saqë çdo gjë ishte e mundur, madje edhe lufta bërthamore.

Më pas, zyrtarët perëndimorë pohuan se Putini është i tmerruar nga perspektiva e një Ukraine demokratike në kufi të Rusisë, që do të kërcënonte bazën e fuqisë së tij duke u treguar rusëve se edhe ata mund të jetojnë më ndryshe. Në pamje të parë, kjo dukej e besueshme. Putini i urrente “revolucionet me ngjyra” të cilat që nga viti 2003 e tutje sollën ndryshime në regjimet e shteteve të ish-bllokut sovjetik. Por, ishin të kufizuara pëlqimet për Ukrainën si model. Ajo është thellësisht e korruptuar, shteti i së drejtës nuk ekziston dhe oligarkët e saj miliarderë kanë pushtet joproporcional. Nëse kjo do të ndryshonte, inteligjenca ruse do të mund ta vërente këtë, por shumicës së rusëve – atyre që ushqehen nga propaganda shtetërore e që përbëjnë bazën politike të Putinit – nuk do t’ua ndiente fare për këtë.

Pushtimi gjithashtu është portretizuar si grabitje e drejtpërdrejtë imperialiste e tokës. Në fillim të verës, një referencë kalimtare për Pjetrin e Madh u pranua si konfirmim se Putini dëshiron ta rivendos perandorinë ruse ose – në rast të dështimit – BRSS-në. Përndryshe, njerëzit e arsyeshëm, kryesisht në Evropën Lindore dhe jo vetëm, menduan se Ukraina ishte veçse hapi i parë. “Nuk do të habitesha”, më tha javën e kaluar një ish-ministër suedez, “nëse pas disa vitesh në radhë do të jenë Estonia dhe Letonia”.

Meqë rënien e Bashkimit Sovjetik dikur Putini e quajti si “katastrofën më të madhe gjeopolitike e shekullit XX”, mund të duket se edhe kjo ka kuptim. Por, ai gjithashtu tha: “Kushdo që nuk pendohet për shkatërrimin [e BRSS-së] – nuk ka zemër; kushdo që dëshiron ta shohë atë të rikrijuar – nuk ka tru”. Duke lënë mënjanë faktin se ushtria ruse tashmë është nën presion për të arritur suksese madje modeste në Ukrainë, një sulm ndaj shteteve baltike ose ndaj Polonisë do t’i sillte ato – bashkë me NATO-n – në konflikt të drejtpërdrejtë, gjë që është gjëja e fundit që Moska (ose Perëndimi) dëshiron.

Në fakt, pushtimi i Putinit nxitet nga faktorët tjerë.

Me Ukrainën ka qenë i fiksuar shumë kohë para se të vinte në pushtet. Që në vitin 1994, kur ishte nënkryetar i bashkisë së Shën Petersburgut, ka shprehur zemërimin se pse Krimea ishte e bashkuar me Ukrainën. “Rusia e fitoi Krimenë nga turqit”, i tha po atë vit një diplomati francez, duke iu referuar disfatës së Perandorisë Osmane ndaj Rusisë në shekullin XVIII.

Por, mundësia – e ngritur në një samit të NATO-s më 2008 – që Ukraina bëhet anëtare e plotë e aleancës perëndimore, ishte ajo që qëndrimin e tij e shndërroi në helm.

Bill Burns – që tani është kreu i CIA-s dhe i cili atë kohë ishte ambasador i ShBA-së në Moskë – në një kabllogram sekret drejtuar Shtëpisë së Bardhë atëherë shkroi: “Hyrja e Ukrainës në NATO, për elitën ruse është vija më e theksuar e të gjitha nuancave të kuqe (jo vetëm për Putinin). Në bisedat e mia – prej më shumë se dy vjet e gjysmë me lojtarët kryesorë rusë, që nga zvarranikët në skutat e errëta të Kremlinit e deri te kritikët më të ashpër liberalë të Putinit – nuk kam hasur ende te dikush që Ukrainën në NATO e sheh si diçka tjetër pos si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj interesave të Rusisë … Rusia e sotme do të reagojë”.

Administratat e njëpasnjëshme amerikane e injoruan paralajmërimin e Burnsit dhe Putini reagoi. Në vitin 2014 e aneksoi Krimenë; më pas e nxiti revoltën separatiste në Donbas; më në fund, në shkurt të këtij viti e nisi një luftë brutale të padeklaruar – për ta gjunjëzuar Ukrainën.

Zgjerimi i NATO-s thjesht ishte maja e ajsbergut. Shumë ankesa tjera kundër Perëndimit janë grumbulluar përgjatë dy dekadave qëkur Putin është në pushtet. Nga fundi i vitit 2020, kur nisën planet për një sulm të përtërirë kundër Kievit, rrota e kishte bërë qarkun e plotë. Udhëheqësi i ri rus, i cili i kishte bërë aq shumë përshtypje Tony Blairit dhe Bill Clintonit, i cili tërësisht e kishte mbështetur George W Bushin pas sulmeve të 11 Shtatorit dhe që këmbëngulte se vendi i Rusisë ishte me Evropën dhe me botën perëndimore, dalëngadalë u shndërrua në një kundërshtar të paepur, i bindur se ShBA-ja dhe aleatët e saj kishin vendosur ta gjunjëzojnë Rusinë.

Politikanët perëndimorë e hodhën poshtë këtë bindje si diçka paranojake. Por, problem nuk janë qëllimet perëndimore, por mënyra se si Kremlini i interpreton ato.

Qëllimi i Putinit nuk është vetëm ta neutralizojë regjimin në Kiev, por – më e rëndësishmja – të tregojë se NATO është e pafuqishme për ta ndalur atë. Nëse gjatë procesit e zhduk kulturën ukrainase në zonat që Rusia i pushton, ky nuk është dëm kolateral: është bonus.

Nëse do të ketë ose jo sukses, kjo varet nga situata në fushën e betejës e cila, nga ana tjetër, do të varet nga zgjerimi i mbështetjes perëndimore gjatë vjeshtës dhe gjatë dimrit – atëherë kur mungesat e energjisë dhe kostot e rritura të jetesës rrezikojnë t’i vënë nën tendosje të madhe partnerët perëndimorë të Ukrainës.

Moska nuk duhet të arrijë shumë që Putini të jetë në gjendje ta pretendojë fitoren. Do të mjaftonte që Rusia ta kontrollojë gjithë Donbasin dhe urën tokësore për në Krime. Me siguri do të donte më shumë. Nëse trupat ruse e marrin Odesën dhe bregdetin e Detit të Zi, kjo do ta kthejë Ukrainën në vasalitet. Por, fitimet edhe më modeste do t’i shfaqin kufijtë e fuqisë së ShBA-së. Është e mundur që Ukraina, me mbështetjen e fortë perëndimore, të jetë në gjendje ta parandalojë këtë. Por, kjo nuk është aspak e sigurt.

Lufta në Ukrainë nuk po ndodh në mënyrë të izoluar. Derisa Rusia e kundërshton rendin e sigurisë të udhëhequr nga ShBA-ja në Evropë, Kina po e sfidon atë në Azi. Ka filluar një tranzicion gjeopolitik, rezultatet e të cilit për dekada të tëra mund të mos jenë plotësisht të dukshme. Por, po i afrohet fundi rendit të pas-Luftës së Ftohtë që ka qeverisur botën për 30 vjetët e fundit. Nga rënia e tij do të shfaqet një ekuilibër i ri fuqie.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024
OpEd • 20 Prill 2024