Lajme
Pas garancive se Kurti e themelon Zajednicën, serbët në veri pranuan t’i marrin targat RKS
Demokracia
13:45 | 17 Nëntor 2023

Share:

Garancitë e dhëna nga kryeministri Albin Kurti, në takimin e 26 tetorit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni dhe shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, se është i gatshëm të respektojë Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit të saj [Ohër, 18 mars 2023], ku bënë pjesë edhe Zajednica për komunat serbe, po i japin rezultatet e para në terren.

Papritmas një pjesë e serbëve të veriut të Kosovës, që për gati dy dekada refuzonin t’i ndërronin targat e automjeteve që lëshoheshin nga autoritetet e Serbisë në targat RKS, pranuan t’i ndërrojnë ato dhe t’i marrin targat që lëshohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Por, pas kësaj, Albin Kurti nuk ka dhënë ndonjë sqarim nëse kjo do të thotë nisje e zbatimit të marrëveshjeve, shkruan Demokracia.com.

Për t’i konvertuar targat, qytetarët serbë kanë kohë deri më 1 dhjetor kur përfundon afati i paracaktuar nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS. Pas kësaj date, automjetet me targa ilegale nuk do të kenë mundësi që të regjistrohen në Kosovë. Nga 1 nëntori deri më tani, janë regjistruar 1 mijë e 660 automjete.

Procesi i regjistrimit të veturave nga targat ilegale serbe në targa RKS po vazhdon me një interesim të shtuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targat ilegale serbe me akronimet “PR”, “KM”, “GL”, e tjerë për qytetet e Kosovës.

Targat ishte bërë ”mollë sherri” për krijimin e trazirave në veri dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, kur Kurti para mbështetësve të tij e bënte heroin, duke refuzuar kërkesën e Sekretarit Amerikan të Shtetit për shtyrjen e vendimit për to.

Targat KM të lëshuara nga autoritetet serbe, të cilat janë të paligjshme për Kosovën, ishin shkas për tensione në veri gjatë vitit 2022. Fillimisht, më 31 korrik u vendosën barrikada për këtë arsye dhe më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, për shkak të suspendimit të Drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS.

Pas angazhimit të madh të vendeve perëndimore, Kosova dhe Serbia arritën të bien dakord për këtë çështje në fund të nëntorit të vitit të kaluar, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova pranoi të pezullojë procesin e riregjistrimit, i cili parashikonte afate specifike. Ndërkaq, Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për qytetet e Kosovës.

Ndërkohë, kah mesi i muajit janar, autoritetet kosovare kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve me targa KM, të cilat janë regjistruar pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çështja e targave është dashur të zgjidhet me Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes, të vitit 2011. Beogradi zyrtar, me këtë marrëveshje ka pranuar heqjen e targave serbe për qytetet e Kosovës.

Megjithatë, ndryshe nga mjediset e tjera serbe në jug të lumit Ibër, targat KM janë përdorur gjatë gjithë kohës në veri të Kosovës, deri sa autoritetet kosovare vendosën ta ndërpresin këtë praktikë në vitin 2021.

Asokohe, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti vendosi që për të gjitha targat serbe të vendosë të ashtuquajturat targa “provuese”, që ishte një praktikë e kahershme në Serbi për targat RKS.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia. /Demokracia.com/

Të ngjashme